Armando Broja dhe Chelsea duket se do ‘divorcohen’ këtë verë. “Blutë” e Londrës e kanë lënë në shtëpi sulmuesin e kombëtares shqiptare duke mos e përfshirë në listën e Kupës së Botës për Klube, turne që po zhvillohet në SHBA.

23-vjeçari tanimë po përdoret në negociata për t’u larguar nga Chelsea dhe një pistë e mundshme për Brojën është rikthimi në Holandë, por këtë herë me fanellën e Ajax. Formula është e thjeshtë.

Chelsea kërkon të blejë talentin holandez të Ajax, 19-vjeçarin Jorrel Hato. Sipas “Express”, Ajax kërkon deri në 45 milionë euro për të lënë të lirë mbrojtësin e ri. Këtu Chelsea ka futur në lojë Armando Brojën, me qëllim për të ulur kostot e operacionit.

“Blutë” kanë propozuar një shkëmbim mes Brojës dhe Jorrel Hato, si edhe një shumë për holandezët; gjë që pritet të diskutohet mes palëve.

ARMANDO BROJA – Sulmuesi i Kombëtares nuk po gjen qetësi te Chelsea edhe prej dëmtimeve. Edhe pse ka kontratë me ta deri në verën e 2028, Broja e ka parë veten në huazime te Fulham dhe Everton, duke mos treguar thuajse asgjë nga cilësitë e tij edhe prej problemeve muskulore.

Tanimë Chelsea i ka treguar Brojës se nuk bën më pjesë në planet e tyre dhe londinezët janë duke e “sistemuar” në tjetër klub.

Nëse Armando do bëhej pjesë e Ajax, ky do ishte një rikthim për të në Holandë pasi shkëlqeu në sezonin 2020-21 me fanellën e Vitesse si i huazuar nga Chelsea. Kujtojmë se në gjurmët e Brojës janë edhe gjigantët e Serie A, Milani, si edhe Wolfsburg e RB Leipzig në Bundesligë.