Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka dhënë një reagim publik përmes një postimi në Instagram, në lidhje me debatin që ka shpërthyer rreth punimeve në ish-burgun e Spaçit – një prej simboleve më të ndjeshme të kujtesës historike të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Në reagimin e tij, Gonxhja i cilëson pamjet e publikuara si dëshmi që tregojnë qartë se në Spaç po kryhen ndërhyrje konservuese, jo ndërtim i pakontrolluar apo jashtë ligjit. Ai sqaron se interpretimet në disa media dhe në rrjete sociale nuk përputhen me realitetin në terren.
“Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe e tarracës mbi to. As nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt apo kontratë”, deklaron ministri.
Më tej, Gonxhja thekson se disa elementë të përfshirë në kontratë, si një kullë metalike, një fragment rrethimi, një portë dhe një pjesë kangjellash, nuk do të ndërtohen pa kaluar më parë një proces të plotë dokumentimi historik dhe analizash. Sipas tij, këto struktura do të jenë të çmontueshme dhe do të zbatohen në përputhje me Planin e Menaxhimit të sitit dhe standardet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim. Sqarimi i MEKI ka qenë shterues dhe po ashtu masat nga IKTK”, shton ministri.
Në fund të deklaratës së tij, Gonxhja u kërkon ndjesë qytetarëve të shqetësuar nga imazhet fillestare të punimeve, duke theksuar se zbatimi i projektit do të bëhet në përputhje të plotë me ligjin dhe me kushtet e kontratës së miratuar.
Ish-burgu i Spaçit mbetet një vend i ngarkuar me simbolikë historike dhe emocionale për shqiptarët, dhe çdo ndërhyrje aty përcillet me interes dhe ndjeshmëri të veçantë nga opinioni publik.