Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023. Kështu u përgjigj Kurti në pyetjen nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.