Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë seancës plenare në Kuvend, prezantoi dy projektligjet e rëndësishme që synojnë të përmirësojnë zinxhirin agro-ushqimor dhe të adresojnë sfidat aktuale në sektorin e bimëve dhe kafshëve.

Sipas ministres, projektligji për bimët përmban masa të reja që synojnë mbulimin e boshllëqeve ligjore ekzistuese, duke vendosur protokolle të qarta për monitorim, njoftim dhe reagim në nivele lokale dhe ndërkombëtare. Ky ligj zbatohet në të gjithë territorin e vendit dhe përfshin të gjitha llojet e bimëve, nga ato të kultivuara në ferma deri tek bimët në zona urbane dhe pyjore.

Denaj theksoi se ndër ndryshimet kryesore është forcimi i kontrolleve ndaj dëmtuesve karantinorë dhe jokarantinorë, përmes një sistemi të avancuar të monitorimit të bazuar në risk. Për herë të parë parashikohet krijimi i një ekipi emergjence për shëndetin e bimëve, që do të ndërhyjë menjëherë pas zbulimit të dëmtuesve. Po ashtu, rriten kapacitetet laboratorike në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe krijohet Regjistri i Operatorëve Profesionistë, ku aktualisht janë identifikuar 602 subjekte që garantojnë gjurmueshmërinë nga ferma në treg.

Në lidhje me projektligjin për kafshët, ministrja u ndal në situatën e murtajës së bagëtive të imëta në Shqipëri. Denaj informoi se, megjithëse Shqipëria është një nga vendet e prekur, dëmet janë shumë më të vogla krahasuar me vendet fqinje si Greqia dhe Rumania. Aktualisht, autoritetet menaxhojnë 10 qendra krize, ku po punohet për kontrollin dhe ndalimin e përhapjes së sëmundjes.

“Falenderoj policinë e shtetit dhe strukturat e doganave për mbrojtjen e kufijve nga hyrjet e paligjshme. I bëj apel fermerëve të ndjekin protokollet dhe standardet e vendosura nga Ministria për blerjen dhe tregtimin e kafshëve. Deri tani janë ekzekutuar rreth 1800 kafshë, por situata është nën kontroll,” theksoi ministrja.

Nga ana tjetër, deputeti Erion Braçe theksoi në Kuvend se dëmet e shkaktuara nga murtaja duhet të kompensohen nga shteti, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së blegtorëve. Ai kërkoi zëvendësimin e tufave të prekura, duke i konsideruar ato si pasuri kombëtare dhe theksuar nevojën për rikthimin e besimit te fermerët.