Dështon për herë të 29 konstituimi i Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar edhe këtë të hënë për të krijimin e parlamentit të ri. Ata janë mbledhur 29 herë radhazi deri tani në përpjekje për ta bërë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sikur edhe në seancat e kaluara parlamentare, nisur që prej 15 prillit, skenari ishte i njëjtë, seanca zgjati pak minuta dhe vazhdon pas 48 orësh. Seanca e radhës do të jetë më 11 qershor. Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo është hera e 21-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse. Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.