Pas takimit të thirrur nga Kurti për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka folur dhe kreu i PDK-së Memli Krasniqi. Krasniqi e komentoi takimin si një dështim dhe bëri fajtor Kurtin.

“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Kushtetueses për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë, Kurti është i njëjtë, qëndrimet e tij mbesin të njëjta dhe mentaliteti imponues vazhdon të jetë më e rëndësishme se gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin. Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat. Në imagjinatën që duan të jetë e vërteta dhe e vërteta nuk është ajo. Kaq shumë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve ne jemi në bllokadë politike të imponuar nga LVV-ja dhe Albin Kurti”, u shpreh ai.