Nga Aladin Stafa
Në epokën e sotme marrëdhëniet diplomatike janë një faktor i rëndësishëm për të mbajtur të ekuilibruar dinamikat e zhvillimit global. Ecuria e progresit teknologjik dhe ekonomik e kohëve të fundit, konfliktet e njëpasnjëshme dhe vatrat e hapura në disa zona të botës, duken se kanë sjellë nevojën jo vetëm të një administrimi korrekt dhe të mprehtë të situatës për të evituar përshkallëzimin e ca më keq të saj por dhe ngritjen e cuarjen përpara të një diplomacie, e cila dukej se dekadave të fundit e kishte humbur trajektoren e saj të qëllimtë duke zënë një vend sekondar në skenën politike të botës.
Por cfarë janë marrëdhëniet diplomatike? Cila është origjina e tyre?
Si lindi ajo?
Në shkrimet e shenjta thuhet se diplomacia ka lindur bashke me njeriun. Pikërisht si një mënyrë më arsyetuese në zgjidhjen e konflikteve nga më të voglat deri tek të mëdhatë. Aty ku prevalon logjika dhe kontrolli i instikteve në dhënien fund të situatave të ndërlikuara. Në kohën kur institucionalizimi, burokracia dhe formaliteti politik mungonin, kartat që luheshin në arenën ndërkombëtare të kombformimit apo dhe të shtetformimit ishin ato të diplomacisë, sidomos ato dinastike.
Ne kemi dëgjuar shumëcka për diplomacinë në tërësi por si për cdo rast edhe në këtë proces, njohja e thelluar e përjashton rregullin.
Cfarë është në thelb Diplomacia e Dinastisë?
Diplomacia e Dinastisë i referohet mënyrës së përdorimit të lidhjeve familjare, martesave politike dhe aleancave dinastike për të ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare në një territor shumë më të gjerë sa mund të jenë kufijtë e një shteti apo të një mbretërie, duke forcuar pozicionin politik të një familjeje mbretërore, elitës që e përfaqson, njerzve më të fuqishëm të kohës apo dhe grupeve të tjera shoqërore me status të lartë ekonomik.
Rrënjët e saj i shohim të shtrihen që nga antikiteti, ku perandoritë dhe mbretëritë përpiqeshin të gjenin gjuhën e përbashkët nëpërmjet martesave. Edhe pse shpesh herë pa rregulla dhe madje duke shkelur ca norma drejtësie, duke përcaktuar nëpërmjet tyre fate njerëzish, bota ka njohur gjatë historisë së saj plot shembuj të këtillë. Gjate Mesjetes por dhe periudhës së Rilindjes, kjo formë e diplomacisë u zhvillua fuqishëm në Europë ku familje mbretërore si Habsburgët, Bourbounet apo dhe Tudorët përdornin martesat klanore si mjet për zgjerimin e influencës së tyre dhe territoreve të pushtuara.
Në një epokë kur pushteti politik kalon më së shumti ndër breza e familjarë të vonë, ishin pikërisht këto marrëdhënie dinastike të cilat ndikonin jo vetëm përmes marrëveshjeve formale por edhe përmes raporteve familjare të ngushta që lidhnin mbretërinë e tyre me mbretëri e familje të tjera të mëdha.
Administrimi i paqtë me trajektoren e qëllimtë drejt shtrirjes në sa më shumë territore, duke minimizuar dëmet që luftrat mund të sillnin, ishte një arsyetim i zgjuar i shumë princave të mesjetës sidomos. Ata të cilët vijonin të sundonin në një pjesë të madhe të Mesdheut dhe të Europës perëndimore, qendrore dhe lindore.
Përtej martesave politike, përputhja e interesave dhe zgjidhja e konflikteve ishin gjithashtu pika të forta funksionale të diplomacisë së dinastisë. Në emër të kurorëzimit të dy personave, shtriheshin ndër limite interesa ushtarake, ekonomike e gjeopolitike.
Një prej shembujve më të njohur të diplomacisë dinastike është ai i Habsburgëve, një prej familjeve më të fuqishme mbretërore në Evropë. Ata ndërtuan një perandori të tërë jo përmes luftërave por përmes martesave politike të menduara me kujdes. Këtë strategji e përmbledh në mënyrën më brilante shprehja latine: “Bella gerant alii, tu felix Austria nube“, e cila përkthehet, ‘Luftërat le t’i bëjnë të tjerët, ti Austri e lumtur, martohu‘.
Kjo nuk ishte thjesht një frazë poetike por një strategji konkrete: përmes martesave me princesha e princër të Evropës, Habsburgët, arritën të zgjeronin territoret dhe ndikimin e tyre pa nxjerrë shpata. Diplomacia e tyre u bë model për mënyrën se si fuqia mund të ndërtohet përmes aleancave personale dhe jo gjithmonë përmes konfliktit të armatosur.
Sot, diplomacia e dinastisë në formën e saj klasike është thuajse e zhdukur nga skena politike. Megjithatë, parimet themelore të saj kanë evoluar dhe janë përshtatur me kohën si cdo gjë tjetër në Tokë për të mos humbur eksiztencën e saj. Në vend të lidhjeve martesore, sot aleancat strategjike krijohen përmes rrjeteve elitare, marrëveshjeve ekonomike, ndikimit kulturor apo bashkëpunimeve institucionale.
Shumë politikanë, biznesmenë dhe figura publike i ruajnë ende lidhjet e tyre brenda një “rrjeti të mbyllur”, ku besimi personal dhe interesat afatgjata janë po aq të rëndësishme sa dikur një martesë mbretërore. Në këtë kuptim ajo nuk ka vdekur- por duket se ka ndyshuar veshje.
Kjo formë e re sa e padukshme aq edhe komplekse, mbart mbi supet e saj problematikat e sekreteve që fshehin marrëveshjet e së kaluarës. Si ajo vërtitet në mënyrë të fshehtë nën kulisat e politikës, na motivon të ngremë pyetjen: a kemi vërtet një shoqëri meritokratike apo thjesht një version të ri të elitave të trashëguara?
Nëse historia nuk mundet të përsëritet në pasqyrimin më të ngjashëm të saj, natyra njerëzore sjell rimodelimin në formë më moderne dhe më të vështirë për t‘u parë. Nga një këndvështrim sipërfaqsor mund të mendohet se njeriu mund të jetë bërë me kompleks por në fund mbetet gjithsesi ajo qenie e thjeshtë që prej krijimit, me parime dhe logjike të njëjtë.