Vijon dita e pestë e procesit të rinumërimit të votave në Tiranë, ku janë hapur rreth 500 kuti për të gjithë qarkun. Ndërsa procesi ecën me ritme të ngadalta në ambientet e pallatit të sportit “Fahrie Hoti”, duket se rezultati nuk po shkon në favor të Partisë Demokratike, e cila ka thelluar humbjen në këtë fazë të numërimit.
Nga të dhënat e fundit të pasqyruara në tabelën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i PD-së me më shumë vota të humbura mbetet Ilir Alimehmeti, ndërsa në radhët e Partisë Socialiste është ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Ndërkohë, partia që ka përfituar më shumë nga rinumërimi është Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Lulzim Basha.
Në sallën e numërimit nuk munguan tensionet. Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, reagoi ashpër ndaj vendimit të KAS për të shpallur të pavlefshme fletët që kanë shenja jashtë kutisë së votimit, duke akuzuar për manipulime dhe paralajmëruar kallëzim penal në SPAK.
“Më bëjnë presion me policinë. Vidhni vota, hajduta! Nuk është hera e parë që më keni vjedhur vota në çdo kuti. Turp të keni, do i çoj videot në SPAK,” u shpreh Dogjani, ndërsa akuzoi edhe anëtarë të komisioneve se kanë ndërhyrë për të manipuluar rezultatin:
“I kemi prishur terezinë, duan të ikin me pushime. Shihni sistemin se sa vota po më hiqen!”
Megjithëse procesi ka sjellë rishikim të ndjeshëm të votave individuale, deri tani nuk ka ndryshuar asnjë mandat deputeti. Gjithsesi, një numër i konsiderueshëm votash janë shpallur të pavlefshme, çka ka ngritur shqetësime mes kandidatëve dhe mbështetësve të tyre.
Rinumërimi pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, nën masa të shtuara sigurie dhe me prani të vëzhguesve të subjekteve politike./Lexo.al