Ditëlindja e 34-t i gjen socialistët në pushtet prej 12 vitesh ndërsa në 11 maj, qytetarët shqiptarë i besuan kësaj force politike drejtimin e vendit edhe për katër vitet e ardhshme duke i dhënë 83 ulëse në kuvendin e ri, i cili do të konsituohet në muajin shtator
Urimin për kontribuesit ndër vite, Edi Rama zgjodhi ta bëjë në rrjetet sociale. Kryesocialisti e cilësoi historik rezultatin e zgjedhjeve, dhe tashmë prioritet është përmbushja e premtimit ndaj qytetarëve, anëtarësim në familjen europiane.
“Me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34 vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve e anëtareve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim.”
Rezultati i 11 majit i mundëson Edi Ramës, dhe shumicës parlamentare të cojë përpara ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ndryshime kushtetuese, pa patur nevoje të bëjë negociata me Sali Berishën, të cilët në këto zgjedhje nuk morën më shumë se 50 mandate, bashkë me aleatet. Ndaj tani është koha për punë jo për festë.
Këtë të enjte nuk do të ketë asnjë organizim, por socialistët, do të mblidhen javën e ardhshme më 19 qershor, ditë në të cilën do të ngrejë siparin edhe akademia politike.
Kjo platformë do të shërbejë për të përgatitur deputetët të cilët do të hyjnë për herë të parë në kuvend. Ata do të marrin leksione nga veteranët e PS, për funksionimin e parlamentit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vizionin e Partisë Socialiste për 2030.