236 ditë në burg, nuk ia kanë ndryshuar Ilir Metës qëndrimin se beteja e tij me drejtësinë është hakmarrje politike. Me një dënim të marrë vetëm pak ditë më parë për të mos bërë aktivitet sportiv brenda burgut, pasi iu përgjigj telefonatave edhe pas orarit të lejuar, kreu i Partisë së Lirisë jep një intervistë ekskluzive për Report tv, ku ndryshe nga sa ka akuzuar ish bashkëpunëtorët më herët, thotë se nën drejtimin e tij, ish LSI nuk ka kryer lobim të paligjshëm.
“Unë e përjashtoj kategorikisht që gjatë kësaj kohe të drejtimit tim, LSI, ka kryer lobim me para të padeklaruara. Është SPAK-u që e ka këtë pretendim se në SHBA janë bërë pagesa për kompanitë lobuese për interes të LSI”, thotë Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë u pyet edhe mbi rezultatin thellësisht të dobët të zgjedhjeve të 11 majit. Duke thënë se kandidimi i tij nuk kishte qëllim final marrjen e mandatit, ai e lë përgjegjësinë e rezultatit tek përfaqësimi i ulët në koalicion.
“Për shkak të koalicionit, ne ishim në funksion të strategjisë të zgjedhur nga PD dhe pak mundësi protagonizmi”, vijon ai.
Nga burgu, Meta kërkoi rinumërim për votat në Kavajë, pasi nuk e beson se në këtë bashki edhe miqtë e ngushtë e tradhtuan.
“Rinumërimin në Kavajë e kërkova unë se mu duk rezultat i pabesueshëm, pasi dilnin më pak vota se sa letra unë ju kisha dërguar shokëve, miqve të shumtë”.
Refuzon të pranojë që rezultati që opozita mori në 2021 ishte meritë e drejtuesve të asokohe, Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit. Madje, për ish kryedemokratin ironinë e ka gati.
“Në 2021 përballë dhunës zgjedhore të Narkoregjimit, qëndronte një President Republike që denonconte çdo akt dhune ndaj opozitës. Për lidershipin që folët, e pamë në këto zgjedhje si doli lideri euroatlantik, nga që i mbeti në gojë 313 gjithë fushatës”, thotë kreu i PL.
Pavarësisht fatit të tij ligjor, njëjtë si aleati i tij Sali Berisha, Ilir Meta refuzon të pranojë largimin nga politika. Ai thotë se përpjekjet e Ramës për të përdorur mercenarët e tij në drejtësi dhe për t’i zëvendësuar liderët legjitimë me kukulla të shantazhueshme, janë të dështuara.
“Kam gjak shqiptari por edhe durim kinezi. Ju jeni një gazetare e re dhe do keni rast të më intervistoni edhe pas 10 vitesh, edhe pas 20 vitesh”.
Zoti Meta, një muaj më parë në vend u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, ku ju ishit kandidat në listën e hapur. Ndryshe nga zotimi në Konventën e Tiranës, ju nuk ia dolët të zgjidheshit deputetet. A e prisnit këtë rezultat, të cilin shumëkush e quan më të dobëtin e karrierës suaj politike?
Ishte një rezultat i shkëlqyer në kushtet e një terrorizmi elektoral dhe në mënyrë të veçantë kundër meje dhe Partisë së Lirisë. Standardi i këtij terrorizmi u vendos në 21 tetor 2024, kur unë u rrëmbeva publikisht nga banditë me maska të Narkoregjimit dhe e panë të gjithë shqiptarët, sidomos më 11 Maj, për orë të tëra në mes të Vorës, ku banditët me dokumentet e KQZ, jo vetëm komandonin procesin e votimit, por kërcënuan live edhe drejtuesit dhe deputetët e opozitës.
Kandidimi im nuk kishte qëllim domosdoshmërinë për t’u bërë deputet, se këtë e kisha të garantuar në listë të mbyllur, por edhe pse në kushte izolimi kriminal të jepja mesazhin se për fitoren opozita duhet të bëjë sakrifica ekstreme. Po kështu, që Ilir Meta nuk e tradhton Ilir Metën, pra kauzën e listave të hapura, për të cilat hyra në greve urie në Kuvend që në 2008 kur iu bënë ndryshimet e pabesa asaj Kushtetute të mrekullueshme që kishim deri atëherë.
Mos harroni se objektivi kryesor afatshkurtër i atyre ndryshimeve kushtetuese ishte eliminimi i LSI në zgjedhjet e 2009, ndërsa afatgjatë eliminimi “de facto” i pluralizmit politik. Ndaj e them me bindje se për mua kanë votuar 8 mijë heronj dhe jo qytetarë të zakonshëm.
Rezultati i Partisë së Lirisë në këto zgjedhjet ishte më pak se 1/3 e votave të Lëvizjes Socialiste për Integrim në vitin 2021. Edhe Partia Demokratike ka një rënie të konsiderueshme krahasuar me 4 vite më parë. Pse shqiptarët besuan më shumë të Kryemadhi-Basha sesa te Meta-Berisha apo ata i mbrojtën votat më mirë, nëse kemi parasysh akuzat tuaja për vjedhje votash?
Është thjesht një arsyetim spekulues, sepse nuk ka bazë krahasimore serioze. Në 2021, LSI hyri me logon e saj dhe kishte 140 kandidatë në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa tani nuk ekzistonte logo e Partisë së Lirisë në listën e votimit dhe ne kishim vetëm 4 kandidatë në listë të mbyllur të PD-ASHM dhe vetëm 8 kandidatë në listë të hapur në të gjithë vendin dhe në 4 qarqe nuk kishim asnjë kandidat.
Po kështu, për shkak të koalicionit, ne ishim në funksion të strategjisë të zgjedhur nga PD dhe pak mundësi protagonizmi. Që ta kuptoni më mirë ju, marrim si shembull Qarkun e Korçës, ku ne kishim një kandidat që është mëkat t’i mungojë Parlamentit si Dr. Gentian Çala, i cili mori 3811 vota. Ai ishte kandidati ynë më i votuar në Qarkun e Korçës edhe në vitin 2021 edhe pse nuk ishte i pari.
Nëse Partia e Lirisë do të ishte më vete dhe ai do ishte në krye të listës, padyshim që do të kishte një rezultat individual të përafërt. Por ai do të kishte edhe kandidatë të tjerë të Partia e Lirisë nga zona të tjera si Devolli, Kolonja, Korça, Pusteci e Maliqi, të cilët do të mbulonin zonat e tyre dhe rezultati pa dyshim që do të ishte edhe më i mirë se 2021.
Apo në rastin e Beratit, nëse Partia e Lirisë do të ishte më vete, përsëri Lefter Maliqi do të merrte individualisht mbi 5 mijë vota, por do të kishte protagonizëm më të madh dhe do kishte edhe 6 kandidatë të tjerë të Partisë së Lirisë nga Skrapari, Poliçani, Berati, Ura-Vajgurore etj. që do të arrinin së bashku një rezultat më të mirë se në 2021. Sepse një kandidat i vetëm e ka të pamundur të mbulojë në mënyrë efektive një qark të tërë.
Ah se harrova, në zgjedhjet që kaluam, Kryetari i Partisë së Lirisë ishte i arrestuar pas një rrëmbimi kriminal që u bë për të terrorizuar përkrahësit e Partisë së Lirisë dhe opozitarët në tërësi. Po kështu, në 2021 përballë dhunës zgjedhore të Narkoregjimit, qëndronte një President Republike që denonconte çdo akt dhune ndaj opozitës. Për lidershipin që folët, e pamë në këto zgjedhje si doli lideri euroatlantik, nga që i mbeti në gojë 313 gjithë fushatës.
Si e pa Ilir Meta funksionimin e opozitës, duke lënë mënjanë akuzat tuaja për manipulim? A funksionoi bashkëpunimi PL-PD? Çfarë nuk funksionoi?
Jemi në fokus të faktimit të mëtejshëm të farsës dhe terrorizmit zgjedhor.
Si e pa Ilir Meta angazhimin e figurave të ndryshme të Partisë së Lirisë në zgjedhje, a pati ‘tradhti politike’ prej tyre? Kujtojmë se keni folur edhe për shitje listash.
Unë falënderoj përzemërsisht të gjithë kandidatët tanë në listat e hapura që bënë një fushatë shumë të vështirë dhe të pabarabartë dhe të gjithë ata që i mbështetën deri te kutia e votimit.
Pse kërkuat rinumërim në Bashkinë e Kavajës? Cilat janë dyshimet tuaja?
Rinumërimin në Kavajë e kërkova unë se mu duk rezultat i pabesueshëm, pasi dilnin më pak vota se sa letra unë ju kisha dërguar shokëve, miqve të shumtë. Thjesht për t’u orientuar më mirë për të ardhmen, pasi zgjedhjet vendore po vijnë dhe jo vetëm ato por edhe të parakohshmet.
Ju keni deklaruar në një intervistë në distancë pak ditë më parë se Partia e Lirisë do të kandidojë në Këshillat Bashkiakë e vetme. A po shpallni kështu ‘divorcin’ politik me Partinë Demokratike? Pse duhet një deklaratë e tillë dy javë pas zgjedhjeve të 11 majit dhe 2 vite para atyre lokale? Kujt po i dërgoni mesazh, në një moment kur aleati juaj Berisha po thotë se 11 Maji do zhbëhet dhe para lokaleve të cilave ju i referoheni do të ketë zgjedhjet të parakohshme të përgjithshme?
Mesazhi u drejtohet vetëm strukturave dhe anëtarëve të Partisë së Lirisë. Ne gjithmonë, si forcë politike në drejtimin tim, kemi pasur si avantazh përgatitjen në kohë për zgjedhjet e radhës dhe jo në minutën e fundit. Aq më tepër në kushtet e një Narkoregjimi që përdor çdo instrument shtetëror për të dhunuar e tjetërsuar vullnetin e qytetarëve.
Kjo nuk e përjashton bashkëpunimin apo koalicionin me PD për Kryetarët e bashkive, përkundrazi. Por për Këshillat Bashkiakë, çdo parti do të konkurrojë me logon e saj, sepse për fat të mirë, vula e vjedhur iu kthye demokratëve të vërtetë fatmirësisht, ndryshe nga zgjedhjet e fundit vendore.
Z. Meta, a nuk mendoni se në partinë tuaj apo edhe në ato të opozitës në përgjithësi ka individë që mund t’i zëvendësojnë Sali Berishën dhe Ilir Metën, që kanë 35 vite në politikë? Dy kryetarë zyrtarisht të pandehur që në vitet në vijim do të kenë një betejë të nxehtë me drejtësinë.
Po, jemi të dy të shpallur të pandehur nga Kryetari i Organizatës Kriminale nga tribunat e Asamblesë të Partisë Socialiste, më 7 maj 2022. Unë nuk i shmangem betejave të nxehta se nuk kam problem me të nxehtin, por me kondicionerët.
Kjo drejtësi e kapur për fyti nga Edi Rama, është kthyer në një komisariat antiopozitar e nuk ka lidhje as me shtetin e të drejtës dhe as me ligjin e Kushtetutën, se me Konventën Evropianë të të Drejtave të Njeriut as bëhet fjalë.
Beteja ime është me Narkoregjimin dhe e bëj me shumë vetëbesim se fundi i tij do të jetë i afërt. Po kështu, përpjekjet e Ramës duke përdorur mercenarët e tij në drejtësinë e kapur dhe të pranuar nga vetë ai, për t’i zëvendësuar liderat legjitimë me kukulla të shantazhueshme, janë të dështuara.
Për t’u ndalur tek procesi gjyqësor i nisur ndaj jush, ju e keni konsideruar marrjen tuaj të pandehur si urdhër politik të Edi Ramës. Ku është përfshirja e Kryeministrit në këtë proces?
E gjithë fletërrufeja e firmosur nga SPAK, është hartuar nga Edi Rama, e kjo do provohet nga procesi i gjykimit hap pas hapi. Por, për të mos humbur shumë kohë me këtë gjë që dihet botërisht, ndiqni këtu direkt urdhrin që i jepet SPAK-ut nga tribuna e Asamblesë së PS-së në datën 7 maj 2022.
Ju gjatë reagimeve të këtyre ditëve keni folur shumë për ‘tradhtarë’ dhe keni deklaruar se të parët që të duhet merren në pyetje për lobimin janë dy kushërinj Endrit dhe Eriol Braimllari dhe Adrian Shatku, kushëri i ish-gruas suaj. Kështu, ju pranoni që në LSI gjatë kohës që ju e keni drejtuar është kryer lobim me para të padeklaruara? Po thoni se 3 të mësipërmit janë shkelësit realë të ligjit?
Unë e përjashtoj kategorikisht që gjatë kësaj kohe të drejtimit tim, LSI, ka kryer lobim me para të padeklaruara. Është SPAK-u që e ka këtë pretendim se në SHBA janë bërë pagesa për kompanitë lobuese për interes të LSI.
Unë prej dy vitesh kam insistuar te SPAK-u kur jam pyetur që nëse ekzistojnë diferenca midis deklarimeve në KQZ këtu me ato të kompanive lobuese në FARA dhe meqënëse sipas tyre këto pagesa rezulton se janë bërë nga Amerika në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që ata kanë me FBI, sidomos në kohën e Charles McGonigal, t’u kërkojnë të verifikojnë cilët persona apo kompani i kanë bërë këto pagesa me autorizimin e kujt. Cilido që ka shkelur ligjet duhet të përgjigjet.
Është e padiskutueshme se gjatë kohës së drejtimit tim, çdo marrëveshje miratohej në mbledhje të Kryesisë në respekt të plotë të ligjit dhe autorizohej një drejtues i caktuar për të nënshkruar e ndjekur zbatimin e kontratës. Sigurisht që ky person nuk mund të ishte Kryetari por një person që ndiqte edhe buxhetin edhe financat.
Nëse SPAK-ut i rezulton se unë kam shkelur ndonjë ligj amerikan jam gati të shkoj edhe në SHBA të përgjigjem para ligjeve të tyre se kështu mund të takoj edhe McGonigalin që merrte valixhet me dollar në parkingje nga Kryekorruptuesi i tij që hartoi fletërrufetë kundër meje por që ka bllokuar letërporosinë për çështjen McGonigal, që e di e gjithë bota.
Edhe tani që ju përgjigjem juve dikush mund të regjistrojë një marrëveshje në FARA në emër të Partisë së Lirisë pa qenë i autorizuar nga unë apo Partia e Lirisë. Dhe kjo ka ndodhur në FARA si në rastin e Z. Fidetzis, i cili e ka bërë këtë gjë të cilën unë e kam denoncuar dhe zyrtarisht në Departamentin e Drejtësisë dhe FARA. SPAK-u e di shumë mirë këtë gjë dhe e ka parë edhe shkresën.
Nëse akuzat për ju provohen, cili do të jetë raporti me politikën?
Akuzat janë thellësisht politike ndaj meje dhe të urdhëruara nga Edi Rama. Këtë do e provojë procesi i gjykimit që këta duan ta shtyjnë sa më shumë me shpresë se mund të mbledhin ndonjë provë për mua këtu në qeli, ashtu siç bënë me kolegun e tyre në paraburgimin e Durrësit.
Kam gjak shqiptari por edhe durim kinezi. Ju jeni një gazetare e re dhe do keni rast të më intervistoni edhe pas 10 vitesh, edhe pas 20 vitesh. Deri atëherë objektivi ynë për 4 milion shqiptarë plus do të jetë përmbushur falë 5 Prioriteteve tona të Konventës historike të 27 Prillit 2024./Shqiptarja.com