Të hënën pritet të hidhet në Gjykatën e Posaçme shorti për t’u përcaktuar treshja e gjyqtarëve që do të gjykojnë dosjen e“Partizani”. Të pandehur janë kreu i PD-së, Sali Berisha për korrupsion pasiv, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, dy biznesmenë dhe noterja.

Mësohet se gjyqtarja Flojera Davidhi ka dorëzuar të premten vendimin e zbardhur të seancës paraprake, që kaloi çështjen në gjyq, pas një zvarritjeje proceduriale që shkoi në shtatë muaj.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi janë nën akuzë në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Berisha ka deklaruar më herët se vendimi për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Apeli i Posaçëm për çështjen “Partizani” është një krim kushtetues.

Ai është shprehur se prokurorët e SPAK kanë kërkuar vendosjen e masave të sigurisë kundrejt tij me arsyetimin se ai po sulmon Prokurorinë e Posaçme dhe gjykatën. Berisha u lirua më 27 nëntor 2024, pas rreth një viti në arrest shtëpiak, për shkak të akuzave për përfshirje në dosjen “Partizani.”