Nga Hermes Kafexhiu

Gazetarët shqiptarë prej kohësh kanë paralajmëruar për një sistem drejtësie që nuk po reformohet, por po bunkerizohet. Draft raporti i Komisionit Europian që është publikuar, vërteton çdo shqetësim dhe kritikë që ata kanë ngritur në vitet e fundit, duke nxjerrë në dritë një realitet të rëndë dhe të patolerueshëm.

Mosqartësia ligjore e Gjykatës Kushtetuese mbi mandatet e anëtarëve të saj dhe mungesa totale e rregullave të brendshme në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, janë vetëm disa nga simptomat më shqetësuese që po dëmtojnë këtë sistem. Në vend që të reformohen dhe pastrohen, këto institucione po përqëndrohen në mbrojtjen e interesave personale, duke u kthyer në fortesa të mbyllura për çdo kritikë apo reformë të vërtetë, nga e cila u nis në 2015 nga politika dhe besimi i palëve, që la me gjithë sikletet e saj, çekiçin në dorë të drejtësisë.

Përtej fjalëve të mëdha, situate në disa segmente në Shkollën e Magjistraturës është një problem në vete, ka disa pedagogë që u larguan në procesin e vetingut për shkak të problemeve etike vazhdojnë të edukojnë gjeneratat e ardhshme të gjyqtarëve. Ky fakt e bën të qartë se drejtësia shqiptare po prodhon vetë pengesa për ndryshimin.

Edhe SPAK, përkundër ‘statistikave’ në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta, vuan nga mungesa kritike e stafit dhe infrastrukturës, duke e bërë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit një betejë të pamjaftueshme dhe të brishtë. Nga ana tjetër raporti përvec rezultatit konstaton dhe probleme në ngritjen dhe përpilimin e akuzave.

Raporti nxjerr në pah edhe një problem tjetër të madh, mungesën e një reforme të vërtetë në mediat shqiptare, ku përqendrimi i pronësisë, mungesa e transparencës dhe sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve janë kthyer në normë. Në këto kushte, zëri kritik i shtypit është në rrezik, dhe bashkë me të edhe kontrolli mbi pushtetin.

Në përfundim, raporti i BE-së është një zë i fortë që përforcon thirrjet e gazetarëve, drejtësia shqiptare nuk është në një fazë transformimi, por në një krizë të sapolindur nga faza e parë e ngritjes së saj.

Nëse nuk do të ketë reforma të sinqerta dhe veprime konkrete për të hequr pengesat e bunkerizimit të sistemit, Shqipëria do të mbetet peng i padrejtësive dhe interesave të ngushta.

Politika kohët e fundit, deri diku me të drejtë ka hedhur teza konkrete për të ndërhyrë në vijimin e reformimit të drejtësisë, pasi zbatimi i saj doli se ka çeduar rrugës në disa kontekste të cilat pikërisht gazetarët i kanë konstatuar dhe ky raport i prek.
Është koha që të gjithë ata që kanë detyrë të garantojnë drejtësinë nga magjistratët, të pranojnë se kjo rrugë nuk çon askund tjetër veç në rënie totale. Gazetarët e kanë denoncuar prej kohësh këto probleme, tani është momenti që drejtësia të na dëgjojë dhe mos të thotë që gazetarët e kërcënojnë drejtësinë. Nëse nuk do ishin gazetarët në këtë vend, gjyqtarë do kishte më pak dhe drejtësi po ashtu.