Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme në pyllin me pisha të Darëzezës është riaktivizuar sërish këtë mëngjes, duke rikthyer frikën te banorët dhe autoritetet lokale.Burime bëjnë me dije se aktualisht ndodhen në terren 4 mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve që kanë marrë përmasa të rrezikshme për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
Zjarri i nisur mesditën e djeshme ka djegur rreth 4 hektarë me shkurre dhe bimësi, ndërsa një sipërfaqe e vogël me pisha ka rezultuar e dëmtuar. Sipas burimeve nga prefektura e Fierit, ndërhyrja e shpejtë dhe e koordinuar mes forcave zjarrfikëse të Fierit, Roskovecit, Lushnjës, Patosit, Albpetrolit, si dhe ndihma e punonjësve të pyjores dhe banorëve, bëri të mundur vendosjen nën kontroll të flakëve.
Dy buldozerë të Bashkisë Fier kanë hapur korridore emergjente brenda masivit pyjor, për të krijuar akses për mjetet zjarrfikëse dhe për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Gjatë natës, në zonë kanë qëndruar në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse dhe tre grupe operative, në një përpjekje për të shmangur çdo rrezik të riaktivizimit të vatrës.
Megjithatë, mëngjesin e sotëm, zjarri është aktivizuar sërish.
Forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, punonjës të pyjores dhe banorë të zonës janë angazhuar në shuarjen e flakëve që kanë shpërthyer përsëri në masivin pyjor të Darëzezës. Zjarri i djeshëm u shua në mëngjes, por në mesditë vatrat e zjarrit u riaktivizuan, duke u përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Terreni i vështirë ranor ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar efektivët të përdorin mjete rrethanore. Ndërkohë, Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir për hapjen e korridoreve. Riaktivizimi i vatrave të zjarrit në Darëzezë ka ndodhur paralelisht me një tjetër vatër zjarri në kodrat e Zhupanit, ku edhe në këtë zonë ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë e kufizuar.
Burime pranë Prefekturës Fier bëjnë me dije se është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat në terren po luftojnë me flakët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.