Në qytetin historik të Beratit janë zhvilluar punimet e Asamblesë Rajonale të Drejtuesve të Policive të Europës Juglindore, një forum i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal në kuadër të presidencës shqiptare të SEPCA-s për vitin 2025. Policia e Shtetit, në rolin e Presidentes së SEPCA-s, po udhëheq këtë nismë me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, krimit kibernetik, kontrabandës së emigrantëve dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes strukturave hetimore e operacionale në rajon.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë drejtues të lartë të policive të vendeve të Ballkanit, përfaqësues të organizatave partnere, si dhe zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Hodaj. Fjalën kryesore e mbajti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i cili përshëndeti të pranishmit duke i uruar mirëseardhjen në qytetin 2400-vjeçar të Beratit, “qytetin e një mbi një dritareve”, simbol i trashëgimisë botërore të njohur nga UNESCO.
Proda u shpreh se ky takim nuk është thjesht një forum diskutimi, por një hap konkret drejt një vizioni të përbashkët për sigurinë:
Është një nder i veçantë të ndaj me ju këtë moment të rëndësishëm, në një kohë kur bashkëpunimi policor rajonal nuk është më thjesht i nevojshëm, është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”.
Në fjalën e tij, ai theksoi se kriminaliteti është bërë gjithnjë e më i ndërlidhur dhe ndërkombëtar, prandaj edhe reagimi duhet të jetë i përbashkët.
“Kur krimi organizohet, edhe rendi duhet të mirëorganizohet. Kjo është arsyeja pse Policia e Shtetit është tërësisht e përkushtuar për të ndërtuar partneritete reale, për të forcuar shkëmbimin e shpejtë dhe të besueshëm të informacionit, dhe për të garantuar veprim të koordinuar me të gjithë partnerët tanë rajonalë dhe ndërkombëtarë”, tha Proda.
Ai u ndal edhe tek roli i SEPCA-s si një urë bashkëpunimi strategjik, që lidh përvojat dhe forcon kapacitetin e përgjigjes ndaj sfidave të përbashkëta si trafikimi i narkotikëve, emigrantëve, qenieve njerëzore, krimi financiar, krimi kibernetik dhe terrorizmi.
Duke përmendur konkretisht përpjekjet e Shqipërisë në kuadër të presidencës së SEPCA-s për vitin 2025, Proda prezantoi disa nga prioritetet kryesore të agjendës shqiptare: trajnime për hetimet financiare, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të emigrantëve, krimi kibernetik dhe sfidat që lidhen me përdorimin kriminal të kriptomonedhave dhe rrjeteve sociale, si dhe promovimi i rolit të grave në polici dhe barazia gjinore në strukturat e sigurisë.
Një moment me rëndësi të veçantë në fjalën e tij ishte edhe thirrja për përfshirjen e plotë të Kosovës në SEPCA.
“Kosova i mungon ende kësaj tryeze. Do të ishte në interesin e përbashkët të sigurisë rajonale që Kosova të ishte anëtare e plotë e SEPCA-s”, u shpreh Proda, duke përshëndetur në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e delegacionit të Policisë së Kosovës të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Gazmend Hoxha.
Ai nënvizoi gjithashtu se Policia e Shtetit shqiptar është në një fazë transformimi të thellë, jo vetëm në strukturë dhe teknologji, por edhe në rritjen e profesionalizmit të burimeve njerëzore dhe forcimin e marrëdhënieve me komunitetin. Proda tha se Shqipëria do të vijojë të mbetet një partner i palëkundur në luftën kundër krimit dhe se integrimi europian është rruga e vetme drejt sigurisë së qëndrueshme.
Në përmbyllje, ai theksoi se “në një botë pa kufij për krimin, detyra jonë është të ndërtojmë ura më të forta bashkëpunimi, besimi dhe veprimi të përbashkët. Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është më opsion është domosdoshmëri”.
Asambleja e SEPCA-s në Berat u konsiderua si një shembull konkret i përkushtimit të Shqipërisë për të drejtuar me përgjegjësi sfidat e sigurisë në rajon dhe për të avancuar bashkëpunimin policor në nivelin më të lartë.