Një ngjarje tragjike ka tronditur Arizonën e Shteteve të Bashkuara, ku një vajzë 19-vjeçare, Rena O’Rourke, ka humbur jetën si pasojë e pjesëmarrjes në një sfidë të rrezikshme që po qarkullon në internet, e njohur si “dusting”.

Kjo sfidë virale i nxit të rinjtë të regjistrojnë veten teksa thithin gaz nga spërkatës për pastrimin e tastierave kompjuterike, me qëllimin për të përjetuar një ndjesi të përkohshme euforie. Por efektet janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shëndetin dhe jetën.
Pas thithjes së gazit, Rena pësoi arrest kardiak dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku qëndroi për një javë në njësinë e kujdesit intensiv. Fatkeqësisht, mjekët konstatuan se ajo ishte në gjendje të pakthyeshme – kishte pësuar vdekje të trurit. Si shkak i vdekjes u konstatua sindroma e vdekjes së papritur nga thithja e kimikateve.

Babai i saj, Aaron O’Rourke, shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e vajzës së tij, duke kujtuar fjalët e saj të përsëritura:

“Gjithmonë thoshte: ‘Do të bëhem e famshme, babi. Do të bëhem e famshme’. Dhe fatkeqësisht, kjo ndodhi në mënyrën më tragjike të mundshme.”