Dy persona me precedentë të rëndë penal pritet të ekstradohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Shqipërisë, pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe partnereve ndërkombëtarë. Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Dashnor Dumanin dhe Armis Stafën, të dy të përfshirë në veprimtari kriminale dhe aktualisht nën hetim nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar (GJKKO).

Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, është i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza të tjera të rënda si vrasje dhe vjedhje me armë. Emri i tij është përmendur në dosje të bujshme si ajo e masakrës së Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona të afërm të Erion Alibej.

Ndërkohë, në të njëjtën kohë, autoritetet do të kthejnë në Shqipëri edhe Armis Stafën, një tjetër person nën hetim nga GJKKO, i akuzuar për pastrim parash të një grupi të fuqishëm kriminal që ka vepruar në zonën e Elbasanit. Ai dyshohet se ka pastruar fondet e familjes Çopja, një emër i njohur në dosjet e drejtësisë shqiptare.

Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht se ekstradimi nga Dubai është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe se procedurat pritet të përmbyllen brenda ditës së sotme.

“Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai në Shqipëri të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale Dashnor Dumani dhe Armis Stafa,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Ekstradimi i këtyre emrave pritet të sjellë zhvillime të reja në disa prej çështjeve më të bujshme të krimit të organizuar në vend, përfshirë edhe hetimet që lidhen me atentatet dhe konfliktet e armatosura në Elbasan dhe zonat përreth.