Policia e Tiranës ka arrestuar një 30-vjeçare, banuese në Prishtinë pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë së rendit një ditë më parë.
Gjithashtu ndaj saj rëndojnë edhe veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasen A. P., 30 vjeçe, banuese në Prishtinë, Kosovë.
Arrestimi i saj u bë pasi: Rreth orës 03:50 të datës 21.06.2025, gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar për kontroll dhe verifikim automjetin me drejtues shtetasin E. P., 23 vjeç. Gjatë komunikimit me punonjësit e Policisë, 23-vjeçari ka krijuar dyshime se ky shtetas drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit. Për këtë arsye është kërkuar ndihma e punonjësve të Policisë Rrugore për t’i bërë testin e alkoolit, ku testi i parë ka rezultuar 0.48 mg/l. 23-vjeçarit i është kërkuar të bëjë për herë të dytë testin e alkoolit, në zbatim të procedurës standarde, por ai ka refuzuar të kryejë testin e dytë.
Në momentin që punonjësit e Policisë po komunikonin me 23-vjeçarin për të bërë testin e alkoolit, aty ka ardhur me një automjet tjetër shtetasja A. P., motra e tij, e cila ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, duke i penguar ata të kryenin detyrën. Punonjësit e Policisë i kanë bërë testin e alkoolit edhe 30-vjeçares, në prani të një punonjëseje policie(e cila ka qënë prezent nga momenti i parë e deri në përfundim të të githa veprimeve), ku rezultoi se 30-vjeçarja drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit në masën 0.38 mg/l.
30-vjeçarja është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme për kundërshtim të punonjësve të Policisë. Gjatë kohës që ndodhej në ambientet e dhomës së shoqërimit, shtetasja A. P. ka goditur me grushte xhamin e dritares së kësaj dhome, duke e thyer atë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Sqarim: Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale për këtë rast theksojmë se: Shërbimet e Policisë, në asnjë moment, nuk kanë ushtruar dhunë ndaj 30-vjeçares dhe pretendimet e bëra publike nuk janë të vërteta. Punonjësit e Policisë kanë zbatuar procedurat standarde të punës dhe në asnjë moment nuk kanë ushtruar dhunë ndaj saj apo ndaj vëllait të saj, të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.