Simone Inzaghi dhe Interi po ndahen, kështu bëjnë me dije mediet në Itali. Sinjalet e orëve të fundit ishin të qarta dhe tanimë konfirmimi ka mbërritur, në takimin midis trajnerit dhe drejtuesve më të lartë të klubit këtë të martë. Pikërisht katër vjet pas ditës kur mbërritja e tij te Interi u bë zyrtare, Inzaghi i ka komunikuar klubit dëshirën e tij për t’i dhënë fund karrierës së tij në këtë klub, përpara skadimit të kontratës së tij të caktuar për verën e vitit 2026 dhe për të pranuar ofertën e Al Hilal në Arabinë Saudite.
Aventura arabe do të fillojë shumë shpejt, trajneri do të nisë një udhëtim për në Miami këtë fundjavë sepse në Florida klubi i tij i ri do të debutojë në Kupën e Botës për Klube kundër Real Madridit më 18 qershor. Vendimi i trajnerit u vendos nga zhgënjimi i fortë pas humbjes 5-0 në finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, por edhe më shumë nga ndjenja e lodhjes për një cikël të gjatë i cili përfundoi me një humbje të rëndë, por edhe plot kënaqësi.
Pas Inzaghit, kush do të ulet në stolin zikaltër?
Interi nuk ka kohë për të humbur. Klubi do të udhëtojë më 11 qershor drejt Los Angelesit për të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube, ndaj zgjedhja e trajnerit të ri duhet të bëhet brenda pak ditësh.
Emri më i përfolur për të marrë drejtimin është ai i Cesc Fabregas. Aktualisht i lidhur me Comon në Serie A, spanjolli është kontaktuar që pas përfundimit të kampionatit italian. Një profil i ri, me vizion modern dhe ambicie të qarta.
Alternativa tjetër është Roberto De Zerbi, i cili është pjesë e Marseille në Francë. Ai u përpoq të minimizojë zërat duke thënë se “asnjë klub nuk më ka kontaktuar”.