Irani ka kapacitetin për të filluar përsëri pasurimin e uraniumit për një bombë të mundshme brenda “pak muajsh”.
Këtë fakt e ka bërë të ditur kreu i mbikëqyrësit të nergjisë atomike të OKB-së, Rafael Grossi, raporton A2 CNN.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, tha se sulmet amerikane në tre site iraniane fundjavën e kaluar kishin shkaktuar dëme të rënda, por “jo totale”, duke kundërshtuar pretendimin e Donald Trump se objektet bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht”.
“Sinqerisht, nuk mund të pretendohet se gjithçka është zhdukur dhe se nuk ka asgjë atje”, tha Grossi të shtunën, shkruan A2 CNN.
Izraeli sulmoi objektet bërthamore dhe ushtarake në Iran më 13 qershor, duke pretenduar se Irani ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore. SHBA-të më vonë iu bashkuan sulmeve, duke hedhur bomba në tre objektet bërthamore të Iranit: Fordo, Natanz dhe Isfahan. Që atëherë, shkalla e vërtetë e dëmit ka qenë e paqartë.
Grossi në një prononcim për CBS Neës, tha se Teherani mund të ketë “brenda pak muajsh… disa kaskada centrifugash që do të rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar”. Ai shtoi se Irani ende zotëronte “kapacitete industriale dhe teknologjike… kështu që nëse dëshirojnë, do të jenë në gjendje të fillojnë ta bëjnë këtë përsëri”.
Agjencia e Energjisë Atomike nuk është organi i parë dhe i vetëm që sugjeron se aftësitë bërthamore të Iranit mund të vazhdojnë ende. Më herët këtë javë, një vlerësim i inteligjencës së Pentagonit zbuloi se sulmet amerikane vetëm sa e vonuan programin me muaj.
Trump u kundërpërgjigj me tërbim duke deklaruar se centralet bërthamore të Iranit ishin “shkatërruar plotësisht” dhe akuzoi median për “një përpjekje për të poshtëruar një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori”. Për momentin, Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim.