Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën bregdetare të Gjipesë, ku një turist gjerman është dëmtuar rëndë pasi u godit nga helika e një gomoneje
Sipas informacioneve të para të siguruara nga gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, drejtuesi i mjetit lundrues ka qenë ai që e ka nxjerrë me urgjencë në breg trusitin gjerman dhe e ka dërguar menjëherë në qendrën shëndetësore të Himarës.
Ndërkohë, sipas policisë bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, kur 27 vjeçari Krenar Velaj , banues në Orikum, duke drejtuar një gomone me dokumentacion të rregullt dhe jashtë zonës së sigurisë, ka dëmtuar aksidentalisht 46-vjeçarin gjerman D. S., i cili po zhytej pranë mjetit lundrues.
Sipas raportimit në vijim të gazetarit të Report Tv, Armand Xhelili, drejtuesi i mjetit Krenar Velaj e ka transportuar turistin e plagosur me gomonen e tij drejt qendrës shëndetësore të Himarës për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Turistit gjerman i janë prerë gjymtyrët e poshtme dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Himarë mësohet se sapo ka mbërritur helikopteri i ushtrisë për ta dërguar të plagosurin në Spitalin e Traumës në Tiranë për një trajtim të specializuar.
Në rastin në fjalë, gomonia po lundronte jashtë kufijve të tapave të vendosura si perimetër sigurie, por edhe turisti gjerman po notonte jashtë zonës së sigurisë.
Policia Kufitare në Dhërmi ka ndërhyrë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe më pas ka organizuar transportimin e tij drejt spitalit, ku pritet të niset drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë, drejtuesi i gomones është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje, bashkë me disa dëshmitarë të ngjarjes.
Nga ana tjetër, gazetari bën me dije se disa ditë më parë policia e Vlorës ndërmori një aksion për të vendosur perimetrat e sigurisë dhe për të larguar nga bregu skafet, të cilat nuk duhet të lundronin pranë brigjeve të populluara.
Grupi hetimor vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij incidenti të rëndë që ka tronditur plazhistët në Gjipe.