Për Andi Bushatin, SPAK ka dalë jashtë kontrollit, teksa iu referua hetimeve që prokurorët e posaçëm po kryejnë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Duke i etiketuar si ‘bishat’ e SPAK, prokurorët e kësaj strukture, Bushati tha se hetimet e kryera ndaj Veliajt vlejnë më shumë për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa se sa për vetë kryebashkiakun e Tiranës.

Sipas Bushatit, SPAK nuk i jep llogari askujt, duke bërë që gjithçka të shkallmohet.

Ajo që vlen të theksohet, për Bushatin, është fakti se kujt i intereson që kryebashkiaku Erion Veliaj të goditet kaq shumë, aq sa të qëndrojë prapa hekurave.

“Është vazhdë e vendimeve të marra më parë. Kur kam lexuar dosjen në fillim, s’mund të ishte dosja e tij.

Ta mbash dikë në burg kaq gjatë me të njëjtat gjëra, me atë dosje që ka, këto intimidimet e dëshmitarëve, më shumë është e shoqja se Veliaj.

Përkoi e njëjta gjë me Veliajn, edhe me shtimin e kohës me Metën. E kupton çfarë janë këto bisha të dala nga kontrolli, s’i japin llogari askujt.

Çdo vend demokratik ku marrim modele për SPAK, qytetarët e jo më zyrtarë mbahen kot në burg. Këtu është shkallmuar çdo gjë.

Nëse Metës dihet përse ia bëjnë, me Veliajn themi çfarë po i bëjnë se është padrejtësi, kush dhe pse po ia bëjnë?!

Duhet të diskutojmë nga ka marrë urdhër SPAK, kujt i interesojnë dhe pse po e degerdojnë këtë drejtësinë e re deri në këtë pike”, tha Bushati në televizionin e familjes Berisha.