Nga Hermes Kafexhiut
Sa herë mendon se reforma në drejtësi ka mbaruar punë, se institucione si SPAK janë bastione të paprekshme të ligjit dhe të drejtësisë, realiteti të kthen në tokë si një goditje me shuplakë: edhe aty ku mendon se gjithçka është ndarë nga e vjetra, klanet, interesat dhe pushteti bëjnë ligjin.
SPAK, simboli i betejës kundër krimit dhe korrupsionit, është sot më shumë se një strukturë e posaçme: është një arenë ku betejat më të egra nuk zhvillohen me kriminelët, por mes vetë prokurorëve. Dhe në këtë arenë, emrat e njohur si Altin Dumani dhe Arben Kraja nuk janë më bashkë në vijën e parë të luftës për drejtësi, por në llogore të kundërta në një betejë që po merr formën e një grushti institucional të heshtur.
Dumani, sot në krye të SPAK, ka vendosur të vendosë vijën e kuqe me ish-shefin dhe dikur aleatin, duke e “shkarkuar” Krajën nga drejtimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe duke e pozicionuar në sektorin e krimit ekonomik. Në vend të tij, vendos Dorina Bejkon, e cila jo rastësisht përflitet si “favoritja e re” për drejtimin e ardhshëm të institucionit. Një lëvizje që nuk është thjesht organizative është sinjal i qartë për një epërsi të re, për një kontroll të ri brenda një strukture që supozohej të ishte mbi lojërat e pushtetit.
Dhe pikërisht kur SPAK është në ethet e zgjedhjes së kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit struktura që ne donim ta kishim “FBI-në shqiptare” këto lëvizje marrin një tjetër kuptim. Jo vetëm që po ndodh një përplasje për drejtim dhe ndikim, por po konsumohet një përçarje që shkon në thelb të besueshmërisë së SPAK-ut si institucion.
Gara për drejtuesin e BKH-së është kthyer në një farsë të menaxhuar me dokumente të paplota, afate që zgjaten sipas qejfit dhe kandidatura që hyjnë në garë me dosje që s’do i pranonte as një zyrë punësimi në administratë. Dhe më absurdja SPAK, që do duhej të ishte garant i rregullit, është bërë burim i kaosit, një komision ad-hoc me tre emra Dumani, Kraja dhe Behar Dibra që nuk bien dakord as për mënyrën se si duhet vlerësuar një kandidat.
KLP nuk ka rregullore për këtë proces, SPAK nuk ka qëndrueshmëri dhe ndërkohë kriza shndërrohet në status quo.
Kush kontrollon këtë proces? Kush do të vendosë se cili është emri që do të ulet në krye të BKH-së? Jo ligji, jo procedura, jo integriteti. Por marrëveshjet në prapaskenë, interesat për të patur një drejtor “të menaxhueshëm”, që nuk krijon bezdi, që nuk ka zë dhe as profil publik.
Në këtë klimë, lufta brenda llojit në SPAK nuk është vetëm një grindje mes individëve me ego. Është pasqyra më e dhimbshme e faktit se reforma në drejtësi mund të ketë pastruar një pjesë të sistemit, por ka lënë bosh një hapësirë ku lufta për kontroll është më e fortë se ndonjëherë. Në këtë hapësirë, BKH-ja po rrezikon të kthehet nga zemra e hetimeve në apendicitin e drejtësisë një organ që mbahet aty për të ruajtur imazhin, jo për të bërë punën.
Kur SPAK vetë është në krizë për të zgjedhur drejtuesin e strukturës më të rëndësishme nën vartësinë e tij, çfarë mund të presim për betejën kundër korrupsionit? Kur komisioni përzgjedhës është i përçarë, kur afatet zgjaten sipas interesit, dhe kur asnjë institucion nuk ka rregulloren e duhur për të menaxhuar këtë proces atëherë, nuk kemi më drejtësi funksionale. Kemi një lojë për pushtet që shfrytëzon boshllëqet ligjore për të vendosur njerëz në krye, jo në bazë të meritës, por të manovrës.
Edhe në SPAK, ku dikur mendonim se vetëm drejtësia kishte vend, sot betejat janë njerëzore, të brendshme dhe të paepura. Dhe ky nuk është vetëm një problem imazhi është kriza që rrezikon të zhbëjë gjithë besimin që publiku ka ende në këtë strukturë.
Deri atëherë, edhe në SPAK, lufta për drejtësi do vazhdojë të zhvillohet në dy fronte, njëri kundër krimit… dhe tjetri, brenda vetes.