KQZ-ja do të rinumërojë qindra mijra vota në Qarkun Tiranë e në ndonjë qark tjetër. Por sidoqoftë, nuk ka gjasa që mandatet parlamentare të subjekteve zgjedhore të ndryshojnë (mund të ndryshojë thjesht vetëm ndonjë mandat personal kandidati brenda ndonjë subjekti zgjedhor).

Do të ketë vërejtje të rëndësishme në raportin përfundimtar të OSBE-ODHIR-it. Sidoqoftë, në përfundim, do të jepen thjesht rekomandime për përmirësime në zgjedhjet e ardhshme.

Me pak fjalë, në shtator PS-ja do ta nisë sesionin e ri parlamentar me 83 deputetë të saj. Dhe kur t’i duhet të kalojë ndonjë ligj me shumicë të cilësuar (që kërkon 84 vota në Kuvend), gjasat janë që Rama do ta gjejë diku ndonjë votë ndër 57 deputetët jo-socialistë…

Ndryshe qëndron puna me Kushtetutën. Për ta ndryshuar atë (fjala vjen, për të rritur kompetencat e ardhshme të Presidentit të Republikës), duhen të paktën 93 vota në Kuvend. Dhe kalimi në Kuvend nga 83 vota, në 93 vota, është një kapërcim i madh për PS-në. Partitë e vogla kanë vetëm 7 deputetë. Për të ngjizur një shumicë 93-votash, duhet që këtyre të 7-ve t’u bashkohen edhe të paktën 3 nga Aleanca për Shqipërinë Madhështore…

Nga pikpamja e numrave, kjo do të jetë beteja më interesante në sesionin e ardhshëm parlamentar. Nga pikpamja e fjalëve, do të shohim e dëgjojmë sherre të vazhdueshme mes madhështorëve të Berishës dhe deputetëve të Ramës rreth zgjedhjeve që kaluan e atyre që do të vijnë…