Pothuaj gjysma e votave të 11 majit do të rinumërohen, pa ndonjë indicie specifike për keqnumërim domethënës statistikisht. Dhe nga rinumërimi deri më sot, ka rezultuar se ka fare pak devijime statistikisht për të justifikuar rinumërimin. Madje edhe këto devijime fare të vogla kanë të bëjnë me interpretime të votës dhe jo me keqnumërime.

Kështu, disa vota janë interpretuar nga numëruesit e KZAZ-ëve bazuar në leximin e vullnetit të zgjedhësve (pavarsisht sesi e kanë shprehur vullnetitn në fletën e votimit). Ndërsa KAS ka vendosur që vetëm vullneti i shprehur në kutinë e vogël pranë emrit të partisë/kandidatit është i vlefshëm – prandaj janë evidentuar diferenca të vogla në rinumërim.

Por këto janë debate mbi “gjininë e engjëjve”, e jo debate statistikore apo politike – rinumërimi masiv i votave nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë në tablonë e madhe të mandateve parlamentare, si mes partive, ashu edhe brenda tyre.

Në Kodin Zgjedhor parashikohet hapja automatike e 10% të kutive me përzgjedhje krejtësisht rastësore, si masë parandaluese ndaj keqnumërimit të numëruesve. Në qoftë se në ndonjë tabelë numërimi konstatohen keqnumërime të njëanëshme, parashikohen akuza penale ndaj numëruesve.

Kodi zgjedhor duhet të parashikojë edhe rinumërim automatik në rastet kur rezultati është shumë i ngushtë dhe kur kërkohet nga humbësi (siç ishte rasti i Qarkut Lezhë, ku mandati i fundit u nda me vetëm 72 vota, apo rasti i garës Xhaçka-Gjylhameti, që u nda me vetëm 120 vota).

Kurse për raste të tjera, rinumërimi duhet të bëhet vetëm kur ka indicie të forta keqnumërimi, që krijojnë dyshimin se rezultati mund të ketë ndryshuar në tavolinë.