Si ka mundësi të rriten votat e PS-së pas katër vjetësh të mbushur me skandale ministrash, kryebashkiakësh dhe zyrtarësh të lartë të saj, pyesin gjoja të habitur politikanë dhe analistë opozitarë. Dhe japin edhe shifra krahasuese: PS-ja sivjet mori 856 mijë vota ndaj 768 mijë votave që mori më 2021, thonë ata.

Dhe pasi kanë bërë këtë pyetje “dërrmuese”, kritizerët e PS-së japin shpjegimet e tyre rreth “regjimit” të Ramës që e ka ngritur strategjinë e manipulimit të votës në gradën më të lartë (duke renditur lloj-lloj argumentesh me të cilat nuk po e lodh lexuesin, sepse dua të mbetem tek shifrat kokëforte).

Këtë pyetjen e kritizerëve të PS-së ia bëra një nxënësi të klasës së pestë, duke i dhënë tri numra faktikë për votat e PS-së: 768 mijë brenda vendit më 2021, 734 mijë brenda vendit më 2025, dhe 122 mijë nga jashtë vendit më 2025 (duke e saqruar se para katër vjetësh emigrantët nuk mund të votonin).

Përgjigjia e tij ishte se votat e PS-së janë pakësuar me 34 mijë brenda vendit në katër vjet, kurse votat e emigrantëve nuk mund të krahasohen, ngaqë para katër vjetësh ata nuk mund të votonin. Dhe kjo përgjigje e nxënësit të klasës së pestë e dërrmon argumentin e mësipërm të kritizerëve të PS-së.

Në fakt, këta kritizerë kanë shumë më tepër shkollë se sa nxënësi i klasës së pestë, por mundohen të fshihen pas një truku aritmetik për të mos folur për gropën madhështore 250-mijëshe të Berishës dhe Metës.

Duke u ngritur mbi nivelin e klasës së pestë, bëra një analizë të firos së votave të këtushme në secilin qark të aleancës Berisha-Meta dhe të PS-së. Të parët pësuan firo të rënda në çdo qark, ndërsa e dyta vetëm në ndonjë qark.

Në rang vendi, aleanca Berisha-Meta humbi 1/3 e votave të 2021-shit, ndërsa PS-ja vetëm 4.5% (shihni tabelën e mëposhtme). Dhe pikërisht ky disnivel gjigand i firos së votave të këtushme ishte dhe arsyeja e disnivelit gjigand të mandateve, sepse votat e disaporës ndikuan vetëm për 1 mandat në Vlorë (madje para se të fillonte numërimi i votave nga Greqia).