Nga Hermes Kafexhiu
Kur në Shqipëri flitet për drejtësi, shpesh gjen një version grotesk ku ndërthuren politika, familjet dhe arroganca personale. Elsa Ulliri nuk është përjashtim, por një shembull i shkëlqyer i asaj që nuk duhet të ishte kurrë gjyqtare, egoizmi i maskuar pas dorëheqjes.
Dorëheqja e saj nga gjykimi i dosjes “Partizani” nuk është një veprim i thjeshtë, as një ndjekje për të shmangur konfliktin e interesit siç na kanë përpjekur të na bindin. Jo, Elsa Ulliri e ka bërë këtë me një vetëdije të plotë, ku ajo ka zgjedhur ta përdorë dorëheqjen si një vegël për të ndihmuar Sali Berishën.
Në fund të fundit, kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri apo jo, ajo e di se kjo është vetëm fasada e një gënjeshtre për konsum publik.
Arsyeja e vërtetë nuk është “konflikti i interesit”.
Është egoizmi i pastër dhe dëshira për t’u larguar që mos të jetë pengesë e një çështjeje që dhe mund të mos e lërë të bëj si do ajo, ose dhe më tej.
Ky largim dhe kjo dorëheqje e saj është dhurata më e madhe që Berisha mund të marrë tani. Sepse duke u tërhequr, Ulliri i jep Berishës mjetin që ai ka kërkuar prej kohësh, arsyen për të sulmuar drejtësinë dhe gjyqtarët që nuk janë në shërbim të tij.
Me dorëheqjen e saj, ajo i thotë politikës:
“Ja, edhe gjyqtarët nuk durojnë dot presionin, largohen, janë të lidhur, janë pjesë e lojës.”
Në mënyrë cinike, Elsa Ulliri nuk po jep dorëheqjen për të ruajtur ndonjë integritet, por për të ndihmuar Berishën në luftën e tij të përbetuar për të rrëzuar çdo pushtet që i del përpara. Ajo po bëhet bashkëpunëtorja e tij, por me heshtje dhe largim strategjik.
Ajo nuk është viktimë e konfliktit të interesit, ajo është bashkëfajtorja që ia ka hapur rrugën një loje të njohur prej vitesh, shkatërrimi i institucionit të drejtësisë për llogari politike.
Në vend që të ishte forcë që t’i rezistojë Berishës, Elsa Ulliri ka zgjedhur të jetë “faktori i qetësisë” që e lejon Sali Berishën të vazhdojë sulmet ndaj gjyqtarëve, të thotë:
“Ja, edhe ata vetë nuk qëndrojnë”.
Kështu, me këtë lëvizje, ajo nuk ka ndihmuar dot drejtësinë, por e ka dëmtuar atë rëndë. E ka kthyer në një fushë beteje ku pushteti politik e shtyn drejtësinë të trembet, të largohet, dhe t’i bindet lojës së vjetër.
Në këtë Shqipëri, ku drejtësia është më shumë spektakël, Ulliri është treguar më se e zonja ta ndihmojë Berishën jo duke luftuar, por duke u tërhequr në kohën dhe mënyrën më të duhur për të mbajtur shinat e pushtetit në lëvizje.
Ndonëse mund të duket e heshtur, është shenja më e qartë se drejtësia nuk është aspak në duar të sigurta, por në duart e atyre që e përdorin për të mbrojtur vetëm veten dhe për të shërbyer politikës së vjetër./Lexo.al