Nga Hermes Kafexhiu

Në një kohë kur pritet që drejtësia të jetë e pakontestueshme, e pavarur dhe mbi çdo dyshim, ngjitet në skenë Elsa Ulliri, gjyqtarja e re që do të marrë në dorë çështjen më delikate të pa dyshim të dekadës. Çështje ‘Partizani’ që në fakt në vetvete është dhe ‘partizane’ e ballomës së provës për Reformën në Drejtësi.

Fjala është për çështjen ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Pikërisht këtu lind pyetja themelore që askush nuk ka luksin të anashkalojë:

A është Elsa Ulliri figura që garanton një proces të pastër, apo një hallkë e dobët në zinxhirin e Reformës në Drejtësi?

Kur Elsa Ulliri u përball me procesin e vettingut në qershor të vitit 2022, doli qartë se kishte më shumë se një pikëpyetje mbi figurën dhe integritetin e saj. Bilanci negativ i familjes, megjithëse i një vlere të vogël, u shoqërua me një vlerësim negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), që e vendosi nën hije të fortë dyshimi.

Ajo e cilësoi raportin si “fyes dhe zhgënjyes”. Nga ana tjetër unë shtroj një pyetje: a ka publiku të drejtë të dijë pse DSIK, një strukturë e ngritur për të garantuar pastërtinë e sistemit, e pa të arsyeshme të sinjalizonte rrezik tek ajo?

Sot, e njëjta gjyqtare që atëherë kaloi me vështirësi filtrat e vettingut, po i jepet një dosje me rëndësi të jashtëzakonshme për opinionin publik dhe për kredibilitetin e të gjithë Reformës në Drejtësi. Kjo nuk është thjesht një dosje penale. Është një ballomë prove për të kuptuar nëse reforma po çon drejt drejtësisë apo po i shërben një drejtësie të orientuar.
Nuk mund të anashkalohet as fakti se gjatë qëndrimit të saj në GJKKO, Elsa Ulliri ka marrë disa vendime që shfaqin një fytyrë të ashpër ndaj zyrtarëve të majtë si Vangjush Dako dhe Edison Memolla. Pra, nuk duhet ta fshehim, të paktën ne gazetarët, që përfaqësojmë opinionin publik, se Elsa Ulliri është parë deri diku edhe një gjyqtare e cila ka ndikim militues në vendimet e saj.

Nga ana tjetër, Elsa Ulliri si gjyqtare e GJKKO ka kundërshtuar legjitimitetin e provave ndaj Fredi Belerit, ku sipas saj ato janë cilësuar si të manipuluara. Ajo ka urdhëruar hetim mbi manipulimin e tyre dhe ka nxjerrë në pah moszbatimin e urdhrit të saj nga SPAK. Pra, Ulliri ka quajtur manipulim një kapje në flagrancë të një krimi zgjedhor që në fakt ishte ashiqare i hapur.

E pra, kujt i shërben Elsa Ulliri? Çfarë e udhëheq në vendimmarrjen e saj? A është kjo një përputhje e rastësishme mes vendimeve që bien sipas drejtimit të erës politike, apo një tregues për atë që e pret drejtësinë shqiptare?

Në thelb, problemi nuk është Elsa Ulliri si emër, por Elsa Ulliri si simbol i një sistemi që ende nuk ka dalë dot nga hija e dyshimit. Sot, ajo është vendosur në epiqendër të një dosjeje që nuk ka vetëm peshë ligjore, por edhe politike dhe historike.

Reforma në Drejtësi nuk ka luksin të tolerojë më profile që përplasen me standardin që vetë Reforma u ngrit për të imponuar. Nuk mjaftojnë vendime të bujshme për të krijuar iluzionin e një drejtësie që funksionon. Drejtësia nuk është teatër, as spektakël për ekuilibra politike.

Nëse Elsa Ulliri do të jetë garancia e drejtësisë për një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, atëherë të gjithë kemi të drejtë të pyesim:

Kush e garanton garantuesen?

Dhe nëse ajo është hallka e gabuar në zinxhir, atëherë i gjithë zinxhiri është në rrezik.
Prandaj, pa dyshimin më të vogël Elsa Ulliri nuk ka në dorë fatin e Sali Berishës, por fatin e Reformës në Drejtësi./Lexo.al