Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi, është tashmë zyrtarisht i pandehur. Sot ai u paraqit në SPAK së bashku me avokatin e tij, ku iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre,” pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tenderat gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës.
Në shtator të vitit 2015, Roshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës bashkë me 10 zyrtarë të tjerë, pasi dyshohej se kishin shkaktuar dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh lidhur me tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e rrugëve të ndryshme.
Këto parregullsi u zbuluan gjatë një auditimi të kryer nga KLSH për periudhën janar 2013-dhjetor 2014, ku u evidentuan shkelje në 12 tendera kryesisht për rikonstruksione, rrugë lidhëse dhe mbjellje pemësh dekorative. Në disa raste, u konstatuan praktika të padrejta në vlerësimin e ofertave, duke përjashtuar operatorë me ofertat më të ulëta për arsye të padrejta.
Gjithashtu, më 17 maj SPAK i sekuestroi telefonin celular Roshit dhe ushtroi kontrolle personale mbi të, duke e hetuar për dyshime korrupsioni në zgjedhjet e 11 majit, ku ai ishte i përfshirë në fushatë për kushëririn e tij, Elton Roshi, që kandidonte për PD-ADSHM në Kavajë.