Tirana ‘pushtohet’ sot nga dy fronte: I ‘dallgëve’ të tifozëve kuqezi që do mbushin “Air Albania” dhe ambientet e jashtme nëpër lokale e sheshe dhe forcave të sigurisë që e kanë futur kryeqytetin si në ‘shtetrrethim’.
Kombëtarja luan sot (7 qershor), në orën 20:45 të mbrëmjes, takimin e tretë të vlefshëm për Eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026, që do luhet në Amerikën e Veriut, për të aritur dy objektiva në horizont: Një biletë për fazën finale dhe historinë ndaj Serbisë.
Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”.
Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni.