Pedagogu në Institutin e Studimeve Euruopiane dhe teologu Ermir Gjinishi tha në emisionin “Zonë e Lirë” se ky ishte momenti më i volitshëm që Izraeli të godiste Iranin, pasi Hezbollahu dhe milicitë e tij janë të asfiskuara dhe Siria është jashtë loje. Gjinishi vë në dukje se goditja e Izraelit ishte spektakolare, ndërkohë që shërbimet e Iranit dështuan.
“Është një operacion i mirëorganizuar. Ka pasur goditje nga brenda Iranit, nga komandat e Mossad-it, me dronë. Jemi në një moment shumë të vështirë. Lindja e Mesme me gjithë këto konflikte që kanë nisur, s’ka qenë asnjëherë në nivele të tilla. Sulmi i Izraelit i nisur sot para agimit, e gjeti të papërgatitur Iranin dhe kjo është çudi e madhe. Goditja që bëri Izraeli ishte spektakolare, tregon për dështimin e sistemeve iraniane.
Ne mund ta lidhim edhe me marrëveshjen që po përgatisnin SHBA-të me Iranin. Ka një farë koordinimi të heshtur edhe pse SHBA-të kanë thënë që kemi dijeni por s’kemi marrë pjesë. Të gjithë izraelitët, mbi 80 për qind e opinionit publik, megjithëse Netanjahu është në këtë vështirësi politike, pjesa më e madhe janë dakord që Irani është kërcënim për Izraelin. Të gjitha të tjerat janë elementë plotësues, edhe marrëveshja.
Tani është momenti më i volitshëm për goditjen e Iranit, sepse Hezbollahu është i asfiksuar, milicitë janë të asfiksuara, Siria është jashtë loje. Irani është vetëm dhe milicitë janë dobësuar, kështu që Izraeli s’mund ta linte këtë moment të shkonte dëm.
Nuk mund të kemi luftë bërthamore, por s’mund të kemi luftë bërthamore, sepse armë bërthamore ka vetëm Izraeli, nuk ka Irani. Shqetësimi që ka Izraeli për posedim të armës bërthamore te Irani s’është tani. Irani elementët i ka, duke filluar nga uraniumi i pasurur, rreth 400 kg, që mjafton për 50 koka bërthamore. Megjithatë s’e ka”, tha ai.
Gjinishi vë në dukje se qëllimi përfundimtar i Izraelit është rrëzimi i regjimit të Ajatollahve në Iran.
“A mori OK-in Bibi (Netanjahu) nga Trump-i, apo Trump e përdori BiBi-n për të ushtruar presion ndaj Iranit për t’u ulur në marrëveshje. Kemi shkuar në pikën zero, a do ta hajë Irani presionin për t’u ulur në negociata?! Irani këtë s’mund ta pranojë sepse bie regjimi. Qëllimi përfundimtar i Izraelit është rrëzimi i regjimit të Ajatollahve në Iran”, u shpreh Gjinishi.