Nga Ylli Pata
Ngritja e zërit dhe lëshimi i gjuhës nga enturazhi i Sali Berishës, ndaj çdokujt që ngre pyetje mbi të ardhmen e doktorit, nuk është gjë e re.
Ka ndodhur, që prej “lashtësisë” së 1992, kur linçohej çdokush që fliste për ndryshime apo emërime, ndryshe nga ato që ka bërë Sali Berisha.
Sharjet e përditshme që ndodhin live në tv apo në rrjete, nuk janë gjë tjetër veçse një “civilizim” i një komuniteti që nuk ka mënyrë tjetër për të mbajtur larg çdo zë, çdo karrierë, apo çdo lëvizje të re brenda opozitës.
Por tani duket se është shumë vonë për të mbajtur me zor, një zhvillim që sapo ka nisur rrugën e mos kthimit. Është një proces politik që natyrisht nuk nisi më 11 maj. Por aty u vulos fort, dhe këtë e di më mirë se të tjerët vetë i zoti i punës. i cili harxhoi energji pa fund, jo për të krijuar një ekip drejtues të PD-së që të jetë e ardhmja politike e vendit, por që të ndikojë për të ndodhur ajo që shumë pak shpresonte se do të ndodhte.
Domethënë, dalja nga ngrica ku e vendosën amerikanët në 2021-shin, me anë të një aksioni lobimi të pashembullt, ku u harxhua një shumë e madhe: 6 milionë USD. Më e madhja shumë që është harxhuar ndonjëherë për “operacione plastike” politike në historinë e Shqipërisë.
Operacion që dështoi, pasi i gjjithë qëllimi i këtij operacioni, me gjjithë La Civita-n në krye të fushatës kishte dy synime: së pari që të zbuste sanksionet e Berishës në SHBA, se për të hequr nuk se flitej, por edhe për t’i dhënë në 11 maj Sali Berishës një legjitimitet politik, që së paku të jetë “Zoti” i opozitës shqiptare, pra të gjithë atij komuniteti që nuk d të jetë me Edi Ramën.
Më 11 maj, Sali Berisha, jo vetëm që nuk u zgjodh si “Zoti i Opozitës” por u ndëshkua nga votuesit opozitarë, qoftë me vota kundër, qoftë me vota ndryshe, qoftë me mospjesëmarrje në zgjedhje.
Zgjedhjet, janë një proces ku, sadokudo mund të mos jenë ndoshta krejt fair, gjithsesi janë një manifestim i matjes së përkrahjes politike. Deri tani janë procesi i vetëm legjitim i funksionimit politik në shoqëritë perëndimore.
Sali Berisha, pas këtyre dy disfatave të mëdha, përkatësisht dështimit për të hequr sanksionet në SHBA dhe humbjes fatale në zgjedhje, ku kundërshtari i tij është krejt afër shumicës së cilësuar, ka një rrugë me disa etapa që e çojnë drejt perëndimit përfundimtar politik, në një rrugë shumë më pak të lavdishme.
Në këtë rrugë të pakthyeshme, një lloj rubikoni, që Berisha në fakt e ka kaluar disa herë, duke rrëzuar çdo lloj rregulli e përjashtimi të tij, ka disa etapa.
Etapa e parë dhe më e rënda është nisja e procesit penal. Pesha e të cilit do të jetë dramatike për rrudhjen edhe më të madhe të konsensusit që i ka mbetur tek disa militant. Të cilët, në pjesën më të madhe të tyre, duke nisur nga ata që donin të bënin karrierë në PD, në 2021, e panë doktorin si një muddësi, si një trampolinë. Në fjalë të tjera, shumica e mbështetësve që ju bashkuan në “luftën civile” brenda PD-së, nuk e bënë se e adhuronin, apo e pëlqenin.
Por sepse e konsideruan si një instrument politik. E si të tillë e justifikuan thuajse të gjithë që përfaqësonin apo donin të përfaqësonin opozitën. “Zoti Berisha është e vetmja mundësi për të bashkuar opozitën”.
Kjo nuk ndodhi pasi opozita, jo vetëm nuk u bashkua, por u dizintegrua më shumë, e nga ana tjetër, pandehja ndaj kreut të PD-së u bë zyrtare. Ai doo të nisë kalvarin e një procesi penal, të gjatë e të lodhshëm.
Etapa tjetër e radhës, janë zgjedhjet vendore të pjesshme, në disa bashki të vendit. Ku do të jetë një “provë e vogël” zhvillimi politik, i daljes së protagonizmit nga ana e strukturave të PD-së, të cilat kësaj radhe d të luftojnë për vete, duke bërë aleancat e duhura, edhe me faktorë të tjerë për të fituar.
Ndërsa etapa tjetër do të jenë zgjedhjet vendore të përgjithshme të vitit 2027, ku sipas të gjitha gjasave në terren do të dalin të gjithë ata njerëz që Berisha i përjashtoi nga listat më 11 maj, e do të kthehen në të kërkuar nga të gjithë faktorët, duke nisur edhe partitë e reja, pasi kanë popullaritetin. Pikërisht atë faktor që i mungon Sali Berishës dhe grupit të tij të ngushtë.
Do të jetë viti 2027, etapa që sipas gjasave do të na japë gjurmën e oerientimit politik të opozitës së re. Natyrisht rrugës mund të ketë zhvillime të papritura sa të duash, qoftë të brendshme apo të jashtme.
Por Sali Berisha nuk ka mudnësi më të përfitojë nga “aksidentet teknologjike” rrugës, pasi të gjithë e dinë se s’ka më kohë për të ndërtuar një pozitë alternative. Që të konkurojë për të qeverisur vendin.
Natyrisht, duke pasur në dorë mjete të rëndësishme si ato financiare, mediatike e politike, Berisha do ta shfrytëzojë për të ruajtur statusquo-në, por që këto mjete, nuk mund të ndalin një process, i cili sapo ka nisur dhe ka etapat e tij-të pakthyeshme!