Nga Mero Baze

Gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila ishte përzgjedhur të drejtojë procesin gjyqësor ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të vet, do t’i nënshtrohet një vendimi gjykate pas kërkesës së saj për dorëheqje në konflikt interesi, për shkak të kushërirës së saj deputete të PD. Nga pikëpamja etike, kërkesa e saj për dorëheqje është një veprim korrekt, por kjo nuk është një standard në drejtësinë shqiptare. Elsa Ulliri në fakt po kërkon dorëheqje nga çështja për shkak të dyshimeve se do të ndihmojë Sali Berishën në proces dhe jo se do ta përsekutojë atë politikisht.

Dhe kjo krijon një standard të dyfishtë në drejtësinë shqiptare në rastet e gjykimeve të politikanëve të lartë.

Ndikimi i politikës në drejtësi nuk është zhdukur nga reforma në drejtësi. Së paku, Sali Berisha ka arritur të ketë një shumicë gjyqtarësh në GJKKO (pesë prej tyre janë shokë shkolle të Argita Berishës dhe të avancuar prej saj në sistem. Po ashtu edhe në Gjykatën e Lartë.)

Por problemi është të vendoset një standard etik për gjyqtarët me ekspozim politik, në rastin e gjykimit të politikanëve – jo vetëm në rastin kur ata janë në favor, por sidomos në rastin kur ata janë të pozicionuar politikisht kundër personit në fjalë.

Elsa Ulliri, fjala vjen, nuk duhet të japë dorëheqje nga gjykimi me arsyetimin se ka kushërirë të parë një deputete të PD. Ata që e njohin lidhjen e familjes së saj me Sali Berishën e dinë që ajo kushërira e saj është deputete për shkak të lidhjeve që familja e Elsës ka me Berishën. Pra është dhe pak më shumë.

Por kjo në këtë rast nuk ka rëndësi, pasi ajo e ka bërë gjestin edhe pse ka maskuar arsyen e vërtetë.

Por e njëjta gjyqtare kaq e ekspozuar politikisht me PD, nuk u tërhoq nga gjyqi paraprak kundër Plarent Ndrecës, deputet i Partisë Socialiste, në një çështje që as ka vepër penale fare.

Pra kjo bën sikur ndjehet e paragjykuar se mos mbron Berishën, por nuk e ka këtë kujdes me kundërshtarët politikë të tij, meqë vetë e pranon që ka një konflikt interesi nga konfidenca politike me të.

E njëjta gjë është dhe rasti i Olta Xhaçkës, të cilën tentoi ta çojë për gjykim një gjyqtare që është kunata e ish-deputetit të PD, Gjunkshi, i cili kishte pas konflikt me Xhaçkën në zgjedhjet në Dibër.

Pra, kur është rasti që këto gjyqtare të sponsorizuara politikisht kanë përballë kundërshtarë politikë, nuk ndihen por sillen si kamikazë, kurse kur u vjen në gjykatë babai i tyre shpirtëror, bëjnë gjeste të tilla të cilat ka gjasa edhe mos të pranohen nga gjyqtari Bani, i cili edhe pse nuk e ka kushëri Sali Berishën, është më militant se gjithë gjykata në favor të tij.

E njëjta gjë mund të thuhet për prokurorët e SPAK, në rastin Veliaj, të cilët nuk mbajnë dot emocione personale as në sallën e gjyqit në sytë e kamerave, e jo më në dhomën e hetimit.

Për këtë arsye duhet të ketë një standard të pranuar për atë kategori gjyqtarësh që janë të sponsorizuar politikisht në karrierën e tyre dhe që duhet të përjashtohen nga proceset ndaj politikanëve të lartë – jo vetëm kur u dridhet dora t’i dënojnë se i kanë idhuj, si në rastin e Berishës, por sidomos kur sillen si linçues dhe hakmarrës po për arsye politike./Tema