Peter Sloterdijk është njëri nga filozofët më të njohur në botë. Është gjerman me shtetësi, por pak edhe francez, sepse një pjesë të mirë të vitit e kalon në shtëpinë e tij në një fshat të bukur të Provansës, një trevë historike në juglindje të Francës.

Atje ai së fundi i ka dhënë një intervistë edicionit të së dielës të gazetës gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Sloterdijk nënvizon se urrejtja ndaj Europës, që sot manifestohet fuqishëm në Lindje, nuk është fenomen i ri.

«Shumica e europianëve nuk e dinë më që urrejtja ndaj Europës në Lindje ka filluar në lëvizjen pansllaviste», thotë ai. Kjo valë anti-evropiane, sipas tij, u rizgjua fuqishëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Filozofi citon edhe njërin nga mendimtarët rusë, Nikolai Fjodorov, i cili në fillim të shekullit të 20-të e identifikonte Europën si mishërim të degjenerimit moral: «Europa është përkufizimi i shthurjes», kishte thënë Fjodorov.

Sepse, sipas tij, vetë emri tregon se Europa në thelb është kurva e një demi. Dhe që e gjithë Europa është bërë si emri i saj, nuk duhet të ndikojë te një rus i ndershëm me shpirt të shëndetshëm fshatar.

“Në Europë gjithçka është qytet i madh, pallat, luks dhe kurvëri. Këto janë fjali që sot mund të përdoren drejtpërdrejt në propagandën anti-evropiane”, tha Sloterdijk.

Ai e quan burrin një «projekt reformues të shekullit të 20-të». Nga një figurë e lidhur me patriarkalizmin, militarizmin dhe heroizmin, burri modern është transformuar në një qenie kozmetike.

«Për të përdorur fjalët e Karl Lagerfeldit: ai fiton kontroll mbi jetën e vet kur përdor një parfum të caktuar të burrave». Ky transformim, sipas Sloterdijk, fillon që në fëmijëri.

Duke analizuar historinë e shekullit të 20-të, Sloterdijk shpreh një ide provokuese për fashizmin: «Unë besoj se vetë termi ‹fashizëm› në thelb nuk do të thotë gjë tjetër veçse refuzimi nga ana e ushtarëve të Luftës së Parë Botërore për të pranuar rezultatin e luftës». Për të, fashizmi ishte refuzimi për t’u çmilitarizuar, një gjë që Gjermania më vonë e përmbushi më radikalisht se kushdo tjetër.

Por a ka ndryshuar kjo situatë sot? Sloterdijk mendon se po. Ndërsa Europa ka përjetuar dekada paqeje, sot po përballet me një moment të ri: «Europa po përjeton për momentin, nëse flasim historikisht, diçka që i ngjan fatit të mirë. Ne kemi përsëri armiq. Armiq të vërtetë».

Në qendër të kësaj përballjeje është Rusia e Putinit, ndaj së cilës, për shumë kohë, Perëndimi shmangu përballjen e hapur. Tani gjithçka është bërë e qartë: «E gjitha kjo ka rënë me një goditje të vetme.»

Në këtë kontekst, ai flet edhe për presidentin francez Macron, të cilin e quan «njeriu më paqësor në botë», por që e kupton se aftësia për të prodhuar dhe eksportuar siguri është po aq e rëndësishme sa eksporti i parfumit francez.

Sloterdijk nuk lë pa përmendur as dështimin e eksperimentit liberal për të bërë nga burrat dhe gratë thjesht konsumatorë. Bota është më e ashpër se kjo ëndërr: «Eksperimenti psikosocial për të bërë nga burrat dhe gratë thjesht konsumatorë nuk i përgjigjet më të vërtetës së gjendjes botërore.»

Në fund, ai i referohet një episodi nga presidenca e Trumpit, i cili ishte kthyer i zhgënjyer nga Brukseli kur kishte kuptuar se europianët nuk ishin të gatshëm të shpenzonin për mbrojtjen e tyre: «Nuk ishin të gatshëm të shpenzojnë më shumë se një përqind e gjysmë për mbrojtjen e tyre».

Sipas Sloterdijk, tani është vetë Putini që po i detyron europianët ta ndryshojnë këtë sjellje: “Momenti për Europën që të furnizohet me armë ka ardhur me të vërtetë”.