Dy fabrika të prodhimit të veshjeve me marka ndërkombëtare të falsifikuara në fshatin Brar të Tiranës në rrugën e Arbrit, u zbuluan dje nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Pas këtij operacioni të zhvilluar, Policia njoftoi sot se ka rënë në pranga edhe Lindion Haka djali i ish-kandidatit për deputet të PD-së, Luan Haka (i arrrestuar) – bashkë-administrator i njërës fabrikë të veshjeve të falsifikuara. Më tej blutë kanë dhënë edhe njoftimin zyrtar për arrestimin e Ozkan Sulun, koka e grupit që koordinonte këtë skemë. Ai dyshohet se merrte përsipër futjen në Shqipëri të mallrave kontrabandë.
Veshjet false që prodhoheshin në këto fabrika, më tej dilnin në treg si të ishin origjinale duke mashtruar konsumatorët në shuma të konsiderueshme. Dy fabrikat kishin të gjitha pajisjet dhe makineritë si për të prodhuar veshjet, edhe për t’i vendosur stampa false të markave të njohura, mes tyre Hugo Boss, Calvin Clain, Nike, Jordan, Tommy Hilfiger, Balenciaga, Valentino Dolce Gabana, Prada, Emporio Armani, Philip Plein e deri te Moncler, Adidas e Reebok.
Njoftimi i policisë
Si rezultat i kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të operacionit “Fake Star 5”, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin turk O. S., 46 vjeç, si dhe shtetasin L. H., 21 vjeç.
Ata ishin shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Fake Star 5”, sepse dyshohet se janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të magazinimit në 2 ambiente në fshatin Brrar, të veshjeve të kontrabanduara, të cilave iu stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.