Nga Joana Preja, shqiptarja.com

Historia e tyre është e ngjashme me atë të pjesës dërrmuese të shqiptarëve që u larguan në fund të viteve 90’. Të dy ishin fëmijë kur familjet e tyre morën vendimin për të shkuar në Amerikë“Unë isha 13 vjeç kur shkuam në SHBA, në dhjetor të 1999. Kanë kaluar thuajse 25 vite që prej asaj kohe”, tregon rreshteri Taulant Halilaj

Për koincidencë, në të njëjtën periudhë, emigron dhe familja e Çollakut. “Isha 7 vjeç kur mamaja ime fitoi lotarinë amerikane në 1997. Në vitin 1999 përfunduam dokumentet dhe u shkuam në Filadelfia.” Aty (Filadelfia) kishim njohje me dikë për të marr shtëpi edhe pastaj vazhdova 8-vjeçaren shkollën e mesme dhe shkollën e lartë.”, thotë kapitenia Hatixhe Çollaku.

Për Taulantin nuk ka qenë e lehtë “Kur shkuam atje, nuk dinim asnjë fjalë anglisht. Ishte pak e vështirë në fillim, por pasi mësova gjuhën dhe krijova shoqëri, gjithçka u bë më e lehtë. Prindërit e mi punonin pothuajse gjithë kohën për të na siguruar një jetë më të mirë”, shpjegon ai Angazhimi në ushtri nuk është një zgjedhje e zakonshme, aq më tepër për një vajzë

“Kur isha në shkollë të lartë, u ndjeva kurioze për ushtrinë dhe vendosa ta provoja. Fillimisht iu bashkova forcave kombëtare në Pensilvani, aty ku jetoja.”, thotë Collaku

Vendimi nuk u prit me entuziazëm nga familja. “Babai im ka qenë në ushtrinë shqiptare dhe ka dalë në pension si major në logjistikë. Prindërit e mi kishin frikë, sepse nuk e dinin çfarë më priste.”, tregon ajo.

Për Taulantin marrja e vendimit, nuk duket të ketë qenë spontan “Duke qenë se vij nga një vend që ka përjetuar luftë dhe SHBA na ndihmuan të shpëtojmë vendin dhe shtëpinë tonë. Dhe ndjeva që në njëfarë mënyre se ua kemi për borxh të kontribuojmë.”, pohon Taulanti.

Detyra i kë bërë të largohen në vende të ndryshme e për periudha shpesh jo fort të shkurtra si kjo stërvitje. “Kam pas larguar nga familja për kohë të gjatë edhe me kanë munguar shumë.”, shprehet kapitenia.

Të qenit prind e bën dhe më të vështirë. “Kur je në një mision për rreth një vit, kthehesh dhe përpiqesh të ‘arrish’ çdo gjë që ke humbur. Jeta jote ndalon gjatë misionit, por jeta e të tjerëve vazhdon. Sidomos kur ke fëmijë. Vajza ime dëmtoi buzën ndërsa isha këtu dhe, edhe pse nuk ishte gjë e madhe, kur ajo të thotë se është lënduar dhe ti nuk je aty, kjo të mërzit.”, – rrëfen rreshteri.

Misioni në Shqipëri është dhe si një rikthim në shtëpinë e vjetër. Kapitenia Collaku, pjesë e forcave kombëtare në Neë Jersey, bën vizita thuajse çdo verë, ndërsa si ushtarake është hera e tretë

“Pasi jam në inteligjencë, kam ardhur më shumë për të zhvilluar konsultime, për të parë se si përgatiten produktet që mbështesin misionin tonë këtu.”, thotë Çollaku

Për Taulantin, kjo ishte vizita e tij e parë me uniformë ushtarake.

“Kam qenë në Bizë, te trajnimet. U tregova disa prej teknikave që kam mësuar gjatë 15 viteve në ushtri. Ndihmova në stërvitjen me armë të rënd zjarri, një prej stërvitjeve të para këtu me mortaja. Ishte një eksperiencë shumë e vlefshme, të ndaja dijet e mia me ta.”, shprehet rreshteri Taulant Halilaj.

Por ndërsa flet për përshtypjet e tij, toni është ai i një ushtaraku amerikan që nuk përzien ndjenjat me detyrën“Disa prej tyre po përpiqen ende të gjejnë identitetin e tyre ushtarak. Ka pajisje që nuk përputhen plotësisht, por kjo është normale, janë ende në fillimet e tyre. Ne në SHBA kemi një histori ushtarake 250-vjeçare, ndërsa këtu janë si ‘foshnje’ në këtë drejtim, por po ecin me hapa të sigurt. Ata kanë dëshirë të shërbejnë, të jenë më të mirë dhe kjo është për t’u vlerësuar.”, përfundon ai