Irani dhe Izraeli kanë vendosur të jenë në armëpushim pas luftës 12-ditore mes dy vendeve. Konflikti nisi për të asgjesuar programin bërthamor të Iranit ku dhe me ndërhyrjen e SHBA-së u asgjesuan disa impiante bërthamore. Konflikti dymbëdhjetëditor shkaktoi 610 viktima në Iran dhe 28 në Izrael.

Për situatën para dhe pas armëpushimit ka folur për Report Tv nëpërmjet një lidhje online dhe një shqiptar nga Tehrani, teologu Eni Kokomani i cili ka folur mbi situatën.

“Tani në Iran është gjendja plotësisht normale, kryesisht në Teheran se në vende të tjera nuk ka shumë shpërthime, edhe para dy ditësh njerëzit, pavarësisht se vendi ishte në luftë, këtu bënin dasma. Në Teheran çdo gjë është në normalitet dhe lideri i Teheranit, ku para disa minutash doli dhe dha një mesazh ku e uroi së pari për fitoren ndaj regjimit amerikan.”-tha Kokomani

Kokomani shkoi më tej duke thënë se deklaratat e dy vendeve do jenë kontradiktore duke qenë se vendet e konsiderojnë njëra-tjetrën armike. Nga ana tjetër ai bën me dije se ka 10 vite që jeton në Iran edhe ka punuar përkthyes.

“Tani dihet që palët do japin deklarata të ndryshme, në Iran është thënë se i gjithë uraniumi është larguar, sot nuk dihet ku është, por mesa duket pala amerikane thotë se janë shkatërruar. Unë jetoj në Teheran për 10 vite, kam punuar si përkthyes në fushën e lajmeve dhe filmave.”-thotë Kokomani.

Teologu thotë muxhahedinët në Shqipëri nuk konsiderohen opozitë. Sipas tij opozitë ata i konsiderojnë ato vende të cilat duan të luftojnë Iranin.

Ai thotë se Shqipëria nuk është e vërtetë që shihet si vend armik nga Irani. Sipas tij Shqipëria është nën presionin e fuqive të mëdha dhe ndaj shihet si vend i vogël.

“Që ta konsiderosh një grup opozitë së pari duhet të kesh mbështetës në Iran ndërkohë që në Iran nuk ka asnjë lloj mbështetje, edhe përveç kësaj është konsideruar një grup terrorist i cili është shkaktar i 17 mijë vdekjeve, ku kanë sulmuar zyrtarë shteti. Ky grup nuk konsiderohet opozitë nga Irani, thjesht i konsiderojnë vende të tjera për t’i përdorur. Shqipëria është vend paqësor dhe Irani e kupton që Shqipëria është vend i vogël dhe nën presionin e fuqive të tjera. Prandaj nuk shikohet, absolutisht, në armik.”-vijoi Kokomani.

Në përfundim Kokomani përgjigjet edhe për pyetjen sesi është jeta në Iran, ku ai thotë shkurtimisht se aty janë të ndaluara disa aplikacione.

Gazetari: Si është jeta në Iran?

“Siç është bërë në Shqipëri ndalimi i TikTok dhe në Iran janë ndalur ca aplikacione dhe është arsyeja që këto kompani nuk bashkëpunojnë me Iranin.”-tha Kokomani./Shqiptarja.com