Ditën e sotme në Tiranë zhvillohet Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor. Në forum do të marrin pjesë dhe do të mbajnë fjalën e tyre Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsjan Çela, kreu i SPAK Altin Dumani, Presidenti i Eurojust Michael Schmid, si dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Ky i fundit gjatë fjalës së tij u shpreh se Bashkimi Europian dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime të përbashkëta sigurie nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Ai u shpreh se rrjetet kriminale po përdorin korrupsionin në nivele për të larta për të zgjeruar ndikimin e tyre, apo për t’iu shmangur drejtësisë. Gonzato iu bëri thirrje shërbimeve të pavarura të prokurorisë të hetojnë dhe ndjekin penalisht pa frikë krimin, pasi kjo është thelbësore për integrimin në BE.

“BE dhe Ballkani Perëndimor vazhdojnë të përballen me kërcënime të përbashkëta sigurie nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe bashkëpunimi mes gjyqësorit dhe aktorëve përtej kufirit janë thelbësore për të luftuar krimin ndërkufitar, por edhe për të mbrojtur viktimat e krimit.

Ne njohim angazhimin e vendeve në rajon për të luftuar së bashku krimin e organizuar që shkakton një dëm të madhe ekonomik. Është i dëmshëm për kohezionin social dhe për mirëqenien e qytetarëve dhe po kështu gërryen besimin e qytetarëve në institucione. Korrupsioni i nivelit të lartë është i parë i shumë aktiviteteve kriminale dhe kërcënim i sigurisë. Rrjetet kriminale përdorin korrupsionin në nivele për të larta për të zgjeruar ndikimin e vet, apo për t’iu shmangur drejtësisë.

Forcimi i sundimit të ligjit është një sfidë thelbësore për vendet në procesin e anëtarësimit dhe rezultatet e prekshme në këtë drejtim janë elementët thelbësore për të ecur përpara në integrimin e BE. Shërbimet e pavarura të prokurorisë që mund të hetojnë dhe të ndjekin penalisht krimin pa frikë apo favor janë parakushte thelbësore për anëtarësimin në BE.” u shpreh Gonzato.

Forumi ka si synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet prokurorive të rajonit për adresimin e sfidave ligjore dhe krimeve të organizuara.