Ilir Meta kërkoi lirinë, por Gjykata e Posaçme vendosi vazhdimin e masës së sigurisë arrest me burg vetëm 2 ditë më parë, 26 qershor. Seanca që zgjati rreth 4 orë u zhvillua me debate mes kreun të Partisë së Lirisë dhe prokurorit Sotri Kllapi, i cili përfaqësonte akuzën në këtë proces.
Pas seancës, Ilir Meta kishte njoftuar se do të jepte një intervistë “live” nga burgu, nëpërmjet telefonit të Tedi Blushit.
“Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live. Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, shkruajti Ilir Meta.
Pavarësisht këtij njoftimi, intervista e Metës nuk u dha, për arsye që ende nuk dihen. Por, kujtojmë që Meta vetëm pak ditë më parë u ankua se e kishin dënuar për 10 ditë, pikërisht se kishte dhënë një intervistë nga burgu nëpërmjet telefonit të Blushit.