Operacioni “Ura”, i finalizuar majin që lamë pas mes SPAK dhe DIA-s italiane, tregoi me prova sa të brishtë janë kufijtë tanë për kalimin e paligjshëm të shumave të parave të pista. Të paktën 30 episode të kalimit të parave përmes autobusëve u zbuluan, në raste të veçanta që shkonin edhe në miliona euro CASH, që më pas investoheshin brenda vendit.

Nga 1 janari deri më 10 qershor, në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend, policia ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë gati 1.2 milionë euro CASH, në 20 episode të ndryshme, në hyrje apo dalje të territorit të vendit.

Pjesa më e madhe e parave të kapura tentuan të dilnin jashtë vendit, rreth 730 mijë euro, në krahasim me 470 mijë euro tentuan të hyjnë në Shqipëri. Vlera më e lartë e parave të gjetura dhe sekuestruara u zbulua në Portin e Durrësit, më shumë se 380 mijë euro, në 3 episode të ndryshme. Më 10 mars u sekuestruan 223 mijë euro, të fshehura në çantën e shpinës të një shqiptari, nisur drejt Italisë. Dy ditë më vonë u zbulua shuma 109 mijë euro mes rrobave, në një furgon mallrash, kësaj here në tentativë për të hyrë brenda vendit.

Aeroporti i Rinasit është i dyti në këto muaj të parë të vitit, me mbi 360 mijë euro të sekuestruara. Vlera më e madhe u kap më 7 qershor, 194 mijë euro në total, pasi një izraelit tentoi t’i kalonte pa deklaruar. Po ashtu, më 16 mars u raportuan 3 raste të ndara nga njëri-tjetri me total prej më shumë se 100 mijë eurosh, njëri prej të cilëve po udhëtonte drejt Dubait.

Nuk kanë munguar tentativat dhe në Kakavijë, pikë kufitare në të cilën u sekuestruan më shumë se 260 mijë euro në disa raste. Kryesori ishte më 6 qershor, ku u gjetën 160 mijë euro të padeklaruara. Në Morinë janë kapur rreth 75 mijë euro në 4 raste, në Qafë Thanë dhe Kapshticë 54 mijë euro dhe në Portin e Vlorës më shumë se 45 mijë euro.

Pjesa më e madhe e personave që tentuan të hyjnë apo dalin nga vendi me para të padeklaruara po hetohen në gjendje të lirë. Autoritetet shpresojnë që përmes një hetimi të mëvonshëm të zbardhin rrjete më të plota të burimit të parave dhe vënie përpara përgjegjësisë penale me prova shtesë. Në një rast të vitit të shkuar në Durrës, ku u gjetën shuma të konsiderueshme parash që vinin me furgon, hetimi disa mujor zbardhi një rrjet më të gjerë të trafikut, i cili u pasua me disa masa arresti me vendim gjykate. Kryesisht, pronarët e parave pajtojnë agjenci të transportit të mallrave për kalimin e parave, apo shoferë të tyre, në rastet e kalimit tokësor. Fshehjet janë nga më të larmishmet, nga sediljet, te rrobat, e deri tek dyshemeja e tavani.

Pjesa më e madhe e parave, për të mos thënë të gjitha, thonë burime pranë Policisë së Shtetit, dyshohet se rrjedhin nga aktivitetet kriminale, kryesisht nga trafiku i drogës. Italia, Greqia dhe Britania e Madhe janë shtetet nga të cilat tentativat për të futur para, janë hasur më shpesh, kjo edhe për shkak të numrit të lartë të shqiptarëve rezident atje.