Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka lejuar administratën e Donald Trump të ndërmarrë hapa për zbatimin e propozimit, për t’i dhënë fund shtetësisë sipas të drejtës së lindjes, raporton Sky News.
Sipas rregullave aktuale, çdo person që lind në territorin amerikan përfiton automatikisht shtetësinë amerikane. Por në ditën e parë të rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që synon shfuqizimin e kësaj të drejte.
Ky vendim shkaktoi menjëherë një seri padish në disa shtete, ku gjykatat e shkallës së parë nxorën urdhra ndalues për të penguar hyrjen në fuqi të këtij urdhri.
Të premten, Gjykata e Lartë vendosi të lejojë administratën Trump të vazhdojë me zbatimin e masës, duke kufizuar ndërkohë fushën e ndikimit të urdhrave ndalues të mëparshëm gjyqësorë, të cilët tashmë do të zbatohen vetëm për palët paditëse dhe shtetet që kanë ngritur çështje, si Maryland, Massachusetts dhe shteti i Washingtonit.
Kjo do të thotë se propozimi për shfuqizimin e shtetësisë automatike mund të avancojë të paktën në shtetet që nuk kanë paditur qeverinë federale për këtë çështje.