Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, ku SPAK i ka ngritur akuzën e “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës”. Mark Molla, ish-administrator i Ujësjellësit Shkodër, njëherësh personi që ka paditur Bardh Spahinë është paraqitur në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit të kërkuar nga Prokuroria.
Në dëshminë e tij, Molla tha se në maj 2022 ishte njoftuar me një urdhër largimi të ardhur me postë dhe se nuk ishte ftuar kurrë në asnjë mbledhje të asamblesë për vendimin e shkarkimit. Ai theksoi se gjykatat nuk e njohën asnjërin prej vendimeve të Spahisë për ta larguar nga detyra.
Sipas Mollës, pas urdhrit të tretë të largimit, një përfaqësues i Bashkisë i kërkoi të lironte zyrën, por ai refuzoi pa një vendim gjyqësor. Ai shtoi se ndërtesa e ujësjellësit u rrethua nga policia dhe se zyra e tij u thye nga një komision, i cili ishte miratuar një ditë pas thyerjes. Ai deklaroi gjithashtu se nga 320 punonjës, Spahia kishte urdhëruar që vetëm 62 persona të kishin akses në institucion.
Mark Molla, ish-administrator i Ujësjellësit Shkodër: Gjatë vitit 2022 kam qenë administrator tek ujësjellësi. Kam bërë detyrën mirë. Ujësjellësi ka qenë ndër më të mirët në Shqipëri. Ka pasur 0 fonde. Kam bërë kallëzim penal se ish-kryebashkiaka në detyrë më ka emëruar tre vjet më parë. I jam drejtuar Prokurorisë Shkodër, se jam njohur me shkresa zyrtare dhe jam njohur si njeri pa vlerë. Unë nuk jam lejuar me hyrë në ujësjellës. Kryetari ka shpërdoruar detyrën me largimin nga puna të menjëhershëm pa asnjë qortim, as vërejtje dhe pa vendim asambleje.
Fillimisht ka larguar anëtarët e stafit mbikëqyrës rreth muajit qershor. Unë do kisha avokatin tim dhe të konsultohesha, dhe mendoj se duhet të isha palë në proces. Fillimisht jam njohur me një urdhër largimi që më ka ardhur me postë. Janë tre vendimmarrje nga ish kryetari Bardh Spahia. Përveç meje, dhe dy anëtarët e tjerë të stafit të ujësjellësit i janë drejtuar gjykatës. Unë jam vazhduar një periudhë kohe, teksa një ditë ka ardhur në zyrë Ardi Cylybyli me disa njerëz të bashkisë dhe më ka thënë me liruar zyrën. Institucioni atë ditë u ruante nga policia bashkiake dhe policia e shtetit. Atë ditë jam ndjerë keq dhe jam shtruar në spital tre ditë. Nga 320 punonjës ka nxjerrë një urdhër që do futen vetëm 62 persona. Unë s’kam bërë asnjë dorëzim, zyra është thyer me shkresë. Për largimin nga puna jam njoftuar nga posta dhe ma ka sjellë sekretaria e asamblesë. Këto vendimmarrje nuk janë bërë të ditur punonjësve të ujësjellësve. Unë merakun tim e kam pas me shku Bardhi kryetar bashkie dhe filloi luftën jo me burrni por me metodat e tij të ngjashme komuniste. Doja ta shikoja ballë për ballë. Unë mendoj se asambleja ka pasur dijeni për largimin tim. Gjatë vitit 2022, nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët.
Në lidhje me rrogat i ka marrë nga data 1 deri në 5 çdo muaj. Edhe në lidhje me klorin asnjë problematikë. Në lidhje me proceset gjyqësore vijon vetëm dëmi ekonomik dhe nuk heq dorë. Edhe sot po shpif në media. Porcese të tjera që lidhen me punën nuk kam hap akoma.
Ish-kryebashkiaku i Shkodrës është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Ai u kallëzua në SPAK në vitin 2022 nga Mark Molla, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër. Spahia akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”. SPAK njofton se Spahia ka pushuar nga puna administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Mollën dhe vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së. Ish-drejtori e denoncoi për shkarkim në shkelje të ligjit dhe gjykata e riktheu në detyrë, vendim të cilin Bardh Spahia nuk e zbatoi.