Në ambientet e GJKKO-së po zhvillohet gjyqi për shpifje mes Adriatik Lapajt dhe deputetit Agron Shehaj, pas akuzave publike të këtij të fundit se avokati Lapaj ka marrë 45 mijë euro nga një kompani e lidhur me grupin kriminal të Çopajve. Në seancë është paraqitur vetë Adriatik Lapaj, ndërsa Shehaj përfaqësohet nga avokati i tij.
Përfaqësuesi ligjor i Shehajt deklaroi në sallë se janë duke kërkuar prova nga institucionet shtetërore.
“I jemi drejtuar Kadastrës për të marrë prova dhe disa bankave, por nuk na japin informacion në lidhje me paditësin. Pretendohet se kemi fyer dhe shpifur në lidhje me administratorët e një kompanie që është në hetim nga SPAK, ku Lapaj ka qenë avokat. Ne kemi kontratat ku ai është paguar nga kjo kompani në vlerën e 4 milionë lekëve për regjistrimin e saj në gjykatë,” -deklaroi avokati i Shehajt.
Ai shtoi gjithashtu se kanë kërkuar dokumentacion edhe nga KPA:
“Kemi edhe disa vendime të Gjykatës së Sarandës që janë përfaqësuar nga viktima akuzuese, por që vendimi është marrë nga vjehrri i tij. I jemi drejtuar edhe KPA për vendimin e rivlerësimit të vjehrrit të Lapajt.”
Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke mohuar çdo lidhje me kompaninë në fjalë apo ndonjë ndikim të të afërmve në vendimmarrje gjyqësore.
“Vjehrri im nuk ka lidhje me atë pronë që është regjistruar. Unë kam përfaqësuar 35 pronarë dhe jo kompaninë. Kompania ka bërë pagesën sepse donte të blinte pronën,” – u shpreh ai.
Për një tjetër çështje në Ksamil, Lapaj tha:
“Nuk është e vërtetë ajo që pretendojnë se këtë çështje e kam përfaqësuar unë në Apel.”
Akuza ndaj tij ka të bëjë me një pagesë të pretenduar prej 45 mijë eurosh nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e sekuestruar nga SPAK, pasi dyshohet se është përdorur për pastrim parash nga grupi kriminal i Çopajve. Shehaj publikoi dokumente që sipas tij vërtetojnë përfshirjen e Lapajt në procesin e regjistrimit të një prone me vlerë milionash në bregdet, blerë nga kompania në fjalë.
Sipas Shehajt, një vendim i rëndësishëm për këtë pronë është dhënë nga Alltun Çela, ish-kryetari i Gjykatës së Sarandës dhe njëkohësisht vjehrri i Lapajt.
Seanca pritet të vijojë me paraqitjen e provave nga të dyja palët.