Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua sot (2 qershor) procesi gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Canit.
Në seancë, para trupit gjykues janë paraqitur për të dëshmuar 5 të mitur, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Mes dëshmitarëve ishte edhe i mituri K.B, i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e ngjarjes. Ky dëshmitar ka qenë subjekt i pretendimeve nga familjarët e viktimës, të cilët kërkojnë zbardhje të plotë të rrethanave që çuan në vrasjen e të miturit.
Dëshmia e të miturve është zhvilluar pa praninë e autorit të dyshuar, ashtu siç parashikohet nga ligji për mbrojtjen e të miturve në proceset gjyqësore.
Nga ana tjetër, përmes avokatit të tij mbrojtës, autori i dyshuar vijon të mohojë akuzat për vrasje, duke pretenduar se ka qëlluar vetëm ndaj L.M, i cili mbeti i plagosur, dhe jo ndaj Canit.
Seanca e ardhshme pritet të zhvillohet me dëshminë e 7 personave të tjerë, ku përfshihen 4 të mitur, të cilët gjithashtu do të dëshmojnë në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Më 4 prill Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga avokati i autorit, i dyshuar për vrasjen e të riut Martin Cani, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Krimi i rëndë u regjistrua më 18 nëntor 2024 në Tiranë, nga një bashkëmoshatar vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli”. Ngjarja ndodhi 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës.