Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka bërë një reagim publik lidhur me një sulm kibernetik ndaj sistemit digjital të Bashkisë, duke e cilësuar atë si një nga më të sofistikuarit e regjistruar deri më tani.
Përmes një njoftimi për mediat, Ristani sqaron se ky është sulmi i 15-të i ngjashëm në vetëm gjashtë muaj nga hakerat iranianë, duke reflektuar një realitet të ri dhe të vështirë për sigurinë digjitale që institucionet përballin çdo ditë.
Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, thekson se po kalohet drejt forcimit të mëtejshëm të infrastrukturës digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Dua t’ju informoj se Bashkia e Tiranës ka qenë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik shumë të sofistikuar. Ky është një ndër 15 sulmet e ngjashme që kemi regjistruar vetëm në gjashtë muajt e fundit, duke reflektuar realitetin e ri të kërcënimeve digjitale që përballim çdo ditë.
Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti.
Dua të theksoj se, edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve.
Të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.
Prej 80 serverëve total, 10 prej tyre janë nën vëzhgim.
Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve) po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malëare-i para se të aktivizohen.
Në këtë fazë, po kalojmë drejt një procesi rehabilitimi dhe forcimi të mëtejshëm të infrastrukturës sonë digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.
Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me transparencë dhe përkushtim për të mbrojtur të dhënat dhe interesin e çdo qytetari.