Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët ka shpallur hapjen e Thirrjes së X-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, një nismë konkrete për përgatitjen profesionale dhe integrimin e të rinjve në administratën publike. Programi do të qëndrojë i hapur për aplikime për 45 ditë dhe ofron mundësi të zgjeruara për 600 të rinj nga e gjithë Shqipëria.
Ministrja Bora Muzhaqi nëpërmjet një videomesazhi të ndarë për hapjen e thirrjes, theksoi se ky edicion i X-të vjen me më shumë hapësira dhe mbështetje se kurrë më parë, duke synuar që të rinjtë të kenë akses real në institucionet publike, të përfitojnë trajnim profesional dhe të kenë një trampolinë të vërtetë drejt punësimit.
“600 të rinj nga 21 deri në 29 vjeç të cilët kanë përfunduar nivelin bachelor ose master, mund të kryejnë praktikën e tyre të punës në administratë publike duke përfituar trajnim të dedikuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike si dhe kompensim financiar për shpenzimet gjatë praktikës. 250 më të mirët do të përfitojnë kontratën 1-vjeçare të punës pranë institucionit ku do të zhvillojnë praktikën”, theksoi Muzhaqi.
Të rinjtë e përzgjedhur do të kenë mundësinë të angazhohen për një periudhë 3-mujore në administratë duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë pune në 227 institucionet publike, sipas fushës tyre të studimit si edhe duke marrë pjesë në trajnimet e dedikuara nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike.