Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar lidhur me heqjen e flamurit të UCK-së, nga stadiumi “Arena Kombëtare” ku po luhej ndeshja Shqipëri-Serbi. Në postimin e tyre në Facebook, thuhet se prekja e atij flamuri është njësoj si preket gjaku i dëshmorëve dhe liria për të cilën ato ranë.
Më tej, OVL e UÇK-së shprehet se nuk kërkojnë asgjë më shumë se respekt, ndërsa heqjen e flamurit e kanë cilësuar “therje në shpirt për çdo familje dëshmori”. Ata shprehen se kërkojnë ndjeshmëri e kujdes pasi sipas tyre kjo nuk është politikë, por kujtesë. Flamuri i UÇK-së ishte vendosur nga tifozët shqiptarë në një nga sektorët e stadiumit, por u hoq nga punonjësit e policisë.
POSTIMI I PLOTË:
Na dhemb zemra oj nanë Shqipni.
Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre,preket liria për të cilën ata ranë.
Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.
Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip.
Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt, për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes,sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë, dhe kujtesa është e shenjtë.