Me temperatura që arrijnë deri në 42°C, Europa është përfshirë nga vala e parë e të nxehtit për këtë verë. Në kontinentin më të nxehtë në planet po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe problematike kriza klimatike. Spanja paralajmëroi temperatura ekstreme në jug të vendit. Agjencia e Motit, Aemet bëri thirrje për më shumë kujdes, veçanërisht për të moshuarit, gratë shtatzëna e personat me probleme shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë në Madrid këshilloi qytetarët të shmangin diellin e të qëndrojnë të hidratuar.

Edhe Portugalia në gjendje gatishmërie, me temperaturat në Lisbonë që mund të shkojnë deri në 42°C dhe rrezik të lartë për zjarre në pyje. Në Francë, autoritetet në Marsejë kanë vendosur që pishinat publike të jenë falas, për të ndihmuar qytetarët të përballojnë të nxehtin mesdhetar. Në Itali, Siçilia dhe Liguria kanë ndaluar punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta. Sindikatat po kërkojnë zbatimin e masës edhe në rajone të tjera.

Në Mbretërinë e Bashkuar autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për nxehtësi ekstreme dhe kanë bërë hyrjen në pishinat publike falas. Në Wimbledon është aktivizuar rregulli i pushimit për shkak të vapës. Në Gjermani u rrit niveli i alarmit për zjarre në pyje dhe po aktivizohet një plan kombëtar për mbrojtjen nga humbjet e jetës të lidhura me të nxehtin. Në Zvicër janë shpallur alarme portokalli për temperaturat e larta në disa kantone dhe po merren masa në zonat alpine për të shmangur mbinxehjen.