Milani i ri nis nga mesfusha, motori i ekipit dhe truri i skuadrës. Mendje të kthjellët dhe këmbë të forta, këtë kërkon Igli Tare për sezonin e parë si drejtori sportiv i Milanit. “Bjondi” shqiptar e di se asgjë nuk është e lehtë, paçka se mund të ketë në dispozicion një buxhet të konsiderueshëm.

Milanit i ka mbetur “sharra në gozhdë” me Ardon Jasharin. Talenti shqiptar i Zvicrës u shpall “Lojtari më i mirë” në Belgjikë sezonin e shkuar dhe Club Brugge nuk e lëshon pa 50 milionë euro. “SportMediaset” bën me dije në edicionin e sotëm online se Tare ka “zbarkuar” vetë në Bruggë për të biseduar personalisht me drejtuesit e zikaltërve.

Klubi belg ka në tryezë 30 milionë euro (27+3 bonuse), por ata nuk e lëshojnë Ardonin pa 50 milionë; kjo nisur edhe nga kërkesat e shumta për të. Le të themi se për Jasharin ka një ankand të hapur, ku edhe Man. United e shumë klube me emër e duan në ekip.