Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar me tone të forta përmes një postimi në rrjetet sociale nga paraburgimi. Meta i ka cilësuar akuzat si të fabrikuara me urdhër të Edi Ramës dhe kreut të SPAK, Altin Dumani, duke folur për një fushatë të qëllimshme dizinformimi dhe përpjekje për ta lidhur me një “çift Meta-Kryemadhi” që, sipas tij, nuk ekziston më.
“E mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur në opinion një çift që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje në aktakuzën që më është komunikuar më 27 maj, më kanë quajtur ende i martuar,” shkruan Meta.
Meta hedh poshtë çdo akuzë për përfshirje në veprime të paligjshme, duke thënë se “asnjë akt i paligjshëm, as ka ndodhur dhe as mund të ndodhë nga Ilir Meta, në Shqipëri, SHBA apo kudo tjetër”, shkruan A2 CNN.
Ai ironizon me “zbulimin e një karte të paligjshme”, duke thënë se gjithçka do të dalë e qartë gjatë gjykimit në themel, që sipas tij “nuk mund të jetë i mbyllur si listat e mbyllura, por i hapur për qytetarët”.
Ish-presidenti thekson se nuk mban përgjegjësi për fëmijët e tij, që janë në moshë madhore, as për kushërinjtë, për të cilët thotë se “njëri prej tyre ka qenë mik me Charles McGonigal”.
Meta ironizon edhe procesin ndaj ish-agjentit të FBI-së duke shtuar: “Po letërporosia për Charles McGonigal, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur me not?”
Postimi i plote
Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksone të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.
Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti.
Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u kominikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.
Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën.
Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër.
Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.
Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami.
Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.
Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”?
E falenderoj me mirënjohje, avokatin tim, Z. Kujtim Cakrani për mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore!