Dy atentate mafioze, në dy rrethe të ndryshme, Tiranë dhe Lezhë.

Një orë e 45 minuta distancë kohore mes krimeve. 50 kilometër distancë gjeografike. Disa rastësi të dyshimta që dukej sikur lidhnin ngjarjet, për të ngritur edhe më tepër mister.

Gjovalin Prendi, u vra në fshatin Pllanë pranë biznesit të tij, pa mbushur 1 vit nga ekzekutimi mafioz i të birit, Sidorel Prendi, i njohur si Roan Brahimi. Me sa duket eliminimi i atij personazhi të njohur të botës së errët, nuk e kishte mbyllur kapitullin e hakmarrjes nga rivalët…

“Rasti në fjalë që supozohet që është saga e një gjakmarrjeje që mund të ketë lindur prej 10 apo 15 viteve është pikërisht për arsyen se ky zinxhir nuk është shkëputur. Nqs ky zinxhir do ishte shkëputur që në vrasjen e parë do ishim duke folur ndryshe dhe nuk do ishim tek viktima e disatë’ u shpreh Ermal Hamataj, avokat.

“Motivi i atyre ngjarjeve është hakmarrja dhe gjakmarrja bashkë. Është një familje që ka pasur edhe më parë viktima në vitin 2014, Sidorel Prendit, i është ekzektuar djali i hallës dhe djali i xhajes, në vitin 2014 në Urën e Milotit” u shpreh Alban Qafa, avokat.

Referuar skenës së atentatit dhe dëshmive, 64-vjeçari Prendi, nuk i trembej një atentati të mundshëm pasi nuk ruhej. Atij nuk i tërhoqi vëmendjen as mjeti i dyshimtë i atentatorëve dhe dy personat e veshur me rroba të errëta që iu afruan pranë verandës së lokalit.

Njëri prej tyre, nxori armën dhe hapi zjarr duke e lënë të vdekur në vend ndërsa tjetri rrinte në gatishmëri. Brenda në lokal ishte edhe bashkëshortja e viktimës, e cila e shtangur nuk arrin të reagojë…….Mjeti i autorëve do të gjendej i shkrumbuar në Gjorm./Top Channel